Futboll

Senegali, finalisti i parë i Kupës së Kombeve të Afrikës

senegal

Senegali është bërë finalisti i parë i Kupës së Kombeve të Afrikës, pas fitores në gjysmëfinale ndaj Egjiptit. 

Senegali fitoi me rezultatin 1:0. 

Golin që e vendosi sfidën e zhvilluar të mërkurën mbrëma në “Grand Stade De Tangier” në Marok, e realizoi Sadio Mane. 

Mane shënoi në minutën e 78-të dhe Senegali e eliminoi Egjiptin e sulmuesit të Liverpoolit, Mohamed Salah. Për Manen, që dikur ishte bashkëlojtar me egjiptianin Salah te Liverpooli, ishte goli i 52-të me Senegalin në 123 paraqitje. 11 gola i ka në Kupën e Kombeve të Afrikës në total.  

Senegali e kishte mposhtur Egjiptin edhe në finale të Kupës së Kombeve të Afrikës në vitin 2021. Kishte fituar pas ekzekutimit të penalltive. Për Senegalin ai ishte trofeu i parë i fituar në këtë garë, ndërsa Egjipti tani pas eliminimit në gjysmëfinale, mbetet me shtatë trofe. 

Në finalen e së dielës, Senegali luan me fituesin e ndeshjes Nigeria – Maroku. Ky ballafaqim nis në orën 21:00.