Ndeshja kthyese ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, do të luhet në stadiumin e Cërvena Zvezdës. Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar se ndeshjen ndaj Shqipërisë do ta zhvillojë në stadiumin “Rajko Mitiq” ish-Marakana të Beogradit. Kapaciteti i stadiumit është 51 mijë e 755 ulëse.
Ndeshja Serbi – Shqipëri luhet më 11 tetor dhe i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Federata e Futbollit e Serbisë ka arsyetuar vendimin për t’i zhvilluar dy ndeshjet e radhës kualifikuese në stadiumin e Cërvena Zvezdës.
“Federata e Futbollit e Serbisë njofton publikun se ndeshjet kualifikuese të ekipit kombëtar serb kundër Anglisë më 9 shtator dhe Shqipërisë më 11 tetor, do të luhen në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd, ndërsa ndeshja në shtëpi e raundit të fundit kundër Letonisë do të luhet në stadiumin “Duboçica” në Leskovc”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Serbisë. “Pas një analize të detajuar, e cila, përveç aspekteve sportive, organizativ dhe të sigurisë, përfshinte edhe konsultime me Konfederatën Evropiane të Futbollit (UEFA), u arrit në përfundimin se stadiumi ‘Rajko Mitiq’, si objekti më i madh i futbollit në vend, do t’i ofrojë ekipit tonë kombëtar kushte optimale për të luajtur ndeshje të nivelit të lartë”.
Ndeshja Shqipëri – Serbi përfundoi pa asnjë incident serioz, ndërsa thirrjet antiserbe nuk janë ndalur. Ka pasur edhe hedhje në disa raste, por rrjedha e ndeshjes nuk është rrezikuar.
Përfundoi pa incidente, ashtu siç kishte përfunduar edhe ndeshja kthyese më 8 tetor 2015 në Elbasan. Serbia kishte fituar 2:0 ndaj Shqipërisë. Ndeshja ishte zhvilluar në masa shumë të rrepta të sigurisë dhe nuk u ka ngjarë ndeshjeve të zakonshme të kuqezinjve. FSHF-ja ishte vlerësuar për organizimin e ndeshjes pa incidente. Nota pozitive mori edhe për ndeshjen në Tiranë. Federata e Futbollit e Serbisë kishte lavdëruar FSHF-në.
Lojtarët e Shqipërisë do të kthehen sërish të luajnë në Beograd. Tani në një stadium tjetër. Pra nuk do të luajnë në stadiumin e Partizanit, por të Cërvena Zvezdës.
Më 14 tetor 2014, në Beograd, lojtarët e Shqipërisë ishin sulmuar fizikisht nga huliganë serbë, lojtarë serbë dhe pjesëtarë të sigurimit, gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri për kualifikimet e “Euro 2016”.
Gjithçka nisi kur një dron me motive shqiptare fluturoi mbi stadiumin e Partizanit. Pas sulmit fizik, ku disa lojtarë të Shqipërisë u goditën me grushte, shqelma dhe gjësende të forta, ndeshja u ndërpre. Stafi dhe lojtarët e Shqipërisë u larguan me vrap drejt dhomave të zhveshjes.
Mënyra se si reaguan lojtarët e Shqipërisë apo shumica prej tyre i ka bërë të paharrueshëm në mesin e tifozëve shqiptarë.
UEFA e regjistroi ndeshjen 3:0 në të mirë të Shqipërisë, por vetëm pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).
