Futboll

Sergio Ramos shkëlqen sërish në skenën e madhe

Sergio Ramos

Sergio Ramos u ngrit lart dhe fluturoi prapa në kohë.

Qendërmbrojtësi 39-vjeçar rrëshqiti në zonën e rrezikshme, ua kaloi dy lojtarëve të Interit dhe me mjeshtëri shënoi me goditje me kokë golin e parë për Monterreyn në Kupën e Botës për Klube në SHBA.

Ashtu si bëri për shumë vjet me fanellën e Real Madridit dhe të Spanjës, Ramosi kombinoi zgjuarsinë, kohën e duhur dhe anën fizike për një paraqitje të jashtëzakonshme në një skenë ndërkombëtare.

Goli i zgjuar dhe loja në mbrojtje e Ramosit ishin faktorë kryesorë në barazimin impresiv, 1:1, të Monterreyt me finalistin e Ligës së Kampionëve të UEFA-s, Interin, në natën mes të martës e së mërkurës.

VIDEO:

“Gjithnjë është gëzim të kontribuosh në ekip duke shënuar gola”, ka thënë Ramos.

“Por nëse marrim pikë, atëherë është edhe më mirë. Luajtëm shumë mirë si ekip. Natyrisht, futbolli luhet për të shënuar gola, por ne jemi këtu për të përjetuar këtë përvojë”.

Ishte momenti që Ramosi e kishte në mendje katër muaj më parë. Ai hoqi dorë nga komoditeti në një klub arab, refuzoi edhe MLS-në e SHBA-së për të vazhduar karrierën profesionale në ligën e Meksikës, në skuadrën Monterrey. Është klub krenar dhe relativisht i pasur për Meksikë, por nuk është si Madridi në Spanjë apo Parisi në Francë.

Kur iu kthye futbollit pas pushimit prej nëntë muajve, Ramosi zgjodhi skuadrën edhe për faktin se ajo ishte tashmë e kualifikuar për Kupën e Botës për Klube. Ai donte të luante para një shikueshmërie globale.

FIFA po ashtu ishte shumë e etur për të shfaqur lojtarët më të famshëm të botës në këtë turne. E përfshiu Inter Miamin e Lionel Messit për arsye të çuditshme, ndërsa hapi një afat kalimtar për të mundësuar përforcimin e skuadrave dhe potencialisht për të hapur rrugë që ndonjë ekip ta angazhonte Cristiano Ronaldon.

Ramos ia doli për vete. Njëri prej mbrojtësve më të famshëm në histori të futbollit e festoi golin ndaj Interit me pasion. Festën e bëri me bashkëlojtarë dhe tifozët e zjarrtë.

Ai tregoi aftësitë e zakonshme mbrojtëse në ndeshjen ndaj Interit. Por Ramos ka qenë kontribues i rregullt në sulm që kur nënshkroi me Monterreyn. Ai tashmë është kapiten i skuadrës dhe i preferuari i tifozëve.

Monterrey u kualifikua për Kupën e Botës për Klube në vitin 2021, duke e fituar Ligën e Kampionëve të zonës CONCACAF. Në atë kohë Ramosi ishte te PSG-ja, pak kohë pasi kishte përfunduar karrierën 16-vjeçare te Real Madridi.

“Ai vjen nga futbolli që të gjithë e njohim dhe ka shumë informacione që mund t’i ndajë me shokët e ekipit”, ka thënë trajneri i ri i Monterreyt, Domenec Torrent, pas debutimit.

“Është diçka e dobishme. Karakteri i tij, personaliteti, e bëjnë udhëheqës çdo ditë. Ai pret shumë prej lojtarëve. Por ne e kemi një udhëheqës në fushë me Ramosin”.

Torrent tha se puna e tij është shumë më e lehtë, sepse mund të mbështetet te Ramosi në mbrojtje dhe te Sergio Canalesi në sulm. Ata mbajnë bashkëlojtarët të organizuar dhe kërkojnë prej tyre të punojnë shumë. Canales nuk shënoi ndaj Interit, por goditi shtyllën në pjesën e dytë.

Jo çdo gjë ishte e përkryer në Pasadena. Ramos pati përgjegjësi për golin e barazimti të Lautaro Martinezit në fund të pjesës së parë. Goli megjithatë erdhi pas një lëvizjeje të jashtëzakonshme të topit, që do të kishte qenë e vështirë për çdo ekip në botë që ta ndalte.

Ramosi në pjesën e dytë u angazhua që ta kapërcente lodhjen, për ta mbajtur rezultatin e barabartë. Barazimi mund të jetë vendimtar në synimin e Monterreyt për kalim në fazën nokaut. Spanjolli u shpall lojtar i ndeshjes.

“Patëm një pjesë të dytë shumë të mirë. U përballëm me një kundërshtar shumë të fortë, kështu që jemi të kënaqur. Rezultati tregon shumë”, ka thënë Ramos.