Baseli po përgatitet në Austri për edicionin e ri të garave në futbollin zviceran dhe atë evropian. Të martën pasdite për gazetarët zviceranë foli Xherdan Shaqiri, kapiteni dhe ylli i Baselit.
“Gjërat po shkojnë mirë. Po ushtrojmë fort, që është me rëndësi. Duam të jemi gati edhe për kualifikimet e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Shaqiri.
33-vjeçari e udhëhoqi Baselin drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Zvicrës. Ai është pyetur nëse me moshë faza përgatitore bëhet më e vështirë. Është përgjigjur që gjithnjë është njëjtë – e vështirë.
“Ju i kuptoni disa gjëra kur keni më shumë përvojë. Lojtarët e rinj po bëjnë përparim në kuptimin e fitnesit. Pasi unë jam lojtar kreativ, mund të duket që po luaj si dhjetë vjet më parë. Por të duhet më shumë pushim pas ndeshjes”, ka thënë Shaqiri.
Ai thotë se tani e njeh trupin e tij më mirë. E di çka i duhet.
“Por po ndihem shumë mirë”.
Shaqiri ka folur edhe për trajnerin e ri të Baselit, Ludovic Magnin. Ka thënë se ai është trajner i duhur për skuadrën.