Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shkëlqimi i Neuerit hap diskutimet për kthimin e tij te Gjermania

Manuel Neuer

Portieri veteran i Bayernit, Manuel Neuer, kishte paraqitje prej “pesë yjesh” në fitoren 2:1 të së martës ndaj Real Madridit, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kështu Neueri ka rihapur diskutimin për kthimin e tij të mundshëm te Gjermania para Kupës së Botës që fillon në qershor.

40-vjeçari, që ka fituar Kupën e Botës, është tërhequr nga Gjermania në vitin 2024. Por është në mendjen e shumë tifozëve gjermanë, me Oliver Baumannin si zgjedhje të parë për portën e Gjermanisë dhe Jonas Urbigun e Alexander Neubelin si zëvendësues të tij të mundshëm në Botëror. Marc-Andre ter Stegen është jashtë për shkak të lëndimeve të shumta.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Neueri ishte portier i parë i Gjermanisë për 14 vjet, ndërsa bëri pritje spektakolare të martën mbrëma në Madrid. Ndër të tjera ndali në situata një kundër një yjet e Real Madridit, Kylian Mbappe dhe Vinicius Jr.

Neueri u shpall më i miri i ndeshjes në fitoren e Bayernit.

Analistë të shumtë në Gjermani kanë bërë thirrje që portieri ikonik të ftohet për Botëror. Edhe trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa ka veçuar paraqitjen e Neuerit.

“Mendoj se Neueri ishte MVP”, ka thënë Arbeloa. “Kemi pasur shumë shanse për të shënuar gola të tjerë, por nuk e kemi bërë këtë”.

Gjermania asnjëherë nuk ka vuajtur për portierë cilësorë. Por pas tërheqjes së Neuerit, nuk ka pasur një zgjedhje të parë konstante.

Me Gjermaninë të vendosur për sukses, pas dështimit në Botërorin 2018 dhe 2022, zërat për kthimin e Neuerit po shtohen.

Ka pasur edhe raportime për marrëdhënie jo më të mirë te Neuerit me përzgjedhësin Julian Nagelsmann.

Pas paraqitjes impresive, Neuer është pyetur për mundësinë e kthimit te Gjermania.

“Nuk kemi nevojë ta përmendim këtë. Ishte ndeshje sensacionale. Nuk po flasim për ekipin kombëtar tani. E kam thënë fjalën time dhe po përqendrohem te Bayerni”.

Max Eberl, drejtori sportiv i Bayernit, ka thënë se nuk e ka befasuar paraqitja e Neuerit.

“Ai është paraqitur në këtë nivel gjithë edicionin. Na shpëtoi në shumë raste në këtë ndeshje”, ka thënë Eberl, që nuk ka dashur të përfshihet në debatin për kthimin e portierit legjendar te Gjermania.