Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shkëlqimi i Veldin Hoxhës në momentin më të rëndësishëm

Veledin Hoxha

Veledin Hoxha verën e kaluar mori vendimin që të luajë për Kosovën

Ndaj Suedisë, më 13 tetor, e fitoi rastin si startues për herë të parë dhe shfaqi vlerat. Startoi edhe ndaj Zvicrës në Prishtinë më 18 nëntor dhe kishte paraqitje solide.

Dhe të enjten mbrëma në Bratislavë, në ndeshjen më të madhe të Kosovës deri më tani, e ndihmoi fitoren 4:3 ndaj Sllovakisë me gol të bukur dhe angazhim të madh në mesfushë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Veldin Hoxha tashmë është prej yjeve të Kosovës, ndonëse i ka vetëm pesë paraqitje.

Ndaj Suedisë në udhëtim e zëvendësoi në mesfushë Elvis Rexhbeçajn e lënduar. Asistoi në golin e vetëm të shënuar nga Fisnik Asllani, në fitoren 1:0.

Ndaj Zvicrës, në barazimin 1:1 në Prishtinë, e zëvendësoi Leon Avdullahun, që u kursye nga Franco Foda.

Ndaj Sllovakisë luajti krah Rexhbeçajt në mesfushë, në mungesë të Avdullahut të lënduar. Dhe Hoxha tashmë mund të llogaritet prej bartësve të mesfushës, njëjtë si Avdullahu e Rexhbeçaj.

Ai shënoi gol të bukur me goditje nga distanca në minutën e 21-të për të barazuar rezultatin në 1:1 dhe për ta kthyer Kosovën në lojë pas fillimit të zbehtë. Kosova barazoi edhe 2:2 e më pas realizoi dy gola për epërsinë 4:2. Në fund fitorja i takoi me rezultatin 4:3 për të bërë vend në finale të plejofit për kualifikim në Botëror.

“Natyrisht se jam i lumtur për golin e parë. Gjithnjë shpresoj se do t’i ndihmoj ekipit tim me lojë të mirë, gol apo asistim. Është ndjenjë e veçantë të shënosh gol për vendin tënd”, ka thënë mesfushori Hoxha të premten për KOHËN.

23-vjeçari është i lindur në Rijekë të Kroacisë. Është zhvilluar te Rijeka, ndërsa ka luajtur për U17, U18, U19 e U21 të Kroacisë. Në verën e kaluar mori vendimin që të luajë për Kosovën, ndërsa u ftua në të gjitha ndeshjet e kualifikimeve të rregullta për Botërorin e këtij viti.

“Goli ndaj Sllovakisë është më i rëndësishmi në karrierën time”, ka theksuar Hoxha. 

Në nivel klubesh luan te Rubin Kazani në Rusi.

“Shumë herë e kam thënë që jam i tejlumtur që luaj për Kosovën. Shpresoj që do të plotësojmë dëshirën tonë dhe të tifozëve tanë dhe do të shkojmë në Kampionat Botëror”.

Kosova të martën prej orës 20:45 luan në finale të plejofit ndaj Turqisë. Kush fiton kualifikohet në Botëror. Në ndeshjen në “Fadil Vokrri”, Hoxha sërish pritet të paraqitet në qendër të mesfushës.

Ai është optimist, ndonëse pranon nivelin e Turqisë.

“Turqia është ekip i shkëlqyer, me lojtarë të shkëlqyer. Kemi shanse të mira megjithatë. Luajmë në shtëpi dhe vendoset me një ndeshje”, ka theksuar Hoxha.

Turqia shquhet edhe për mesfushorët cilësorë që i ka. Kështu që Hoxha dhe të tjerët do të sfidohen goxha fort.

“Jam gati dhe i motivuar”, thekson Veldin Hoxha.