Shkëndija e Tetovës ka shkëlqyer të enjten mbrëma dhe ka realizuar tjetër fitore ndaj FCSB-së rumune.
“Kuqezinjtë” avancuan në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, pas fitores edhe në udhëtim 2:1.
Ndeshjen e zhvilluar në “Arena Nationala” të Bukureshtit, Shkëndija e fitoi me rikthim të rezultatit.
Juri Cisotti shënoi për vendësit në minutën e 28-të, ndërsa në minutën e 33-të, Liridon Latifi i barazoi shifrat.
Golin e fitores së madhe të Shkëndijës së Tetovës e shënoi Vane Krstevski, në minutën e 87-të.
Shkëndija përballë në rrethin e tretë kualifikues do ta ketë Qarabagun e Azerbajxhanit.
Tetovarët e luajnë ndeshjen e parë në shtëpi më 5 apo 6 gusht, ndërsa dueli kthyes luhet më 12 gusht.
Qarabagu e eliminoi Shelbournen e Irlandës me rezultatin e përgjithshëm, 4:0.
Me këtë avancim tutje, Shkëndija e Tetovës të sigurt e ka fazën e ligës në Ligën e Konferencës. Por, synimi i pesë herë kampiones së Maqedonisë së Veriut, është më i madh.