Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, do të luajë kundër Polonisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2026.
Shorti i tërhequr të enjten në Cyrih të Zvicrës, e ka vënë Shqipërinë përballë polakëve të udhëhequr nga ylli i Barcelonës, Robert Lewandowski.
E në rastin e Shqipërisë, për të shkuar në botëror duhet t’i fitojë dy ndeshje si mysafire.
Pos Polonisë më 26 mars, duhet ta mposhtë si mysafir edhe fituesin e duelit Ukrainë – Suedi.
Përzgjedhësi Sylvinho u shpreh se Shqipëria e Polonia e njohin mirë njëra-tjetrën.
“Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. Po flisja me shumë të tjerë, italianë dhe përfaqësues të tjerë. Në futboll, për 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë gjithashtu. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara”.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se nuk ka pritur kundërshtar të lehtë në short.
“Nuk prisja se do të kishte ndonjë dhuratë. Këtu janë të gjitha ekipet të forta. Polonia është skuadër me të cilën kemi luajtur në 2-3 vitet e fundit, shumë e fortë me një nga yjet e futbollit evropian. Por ne do të përqendrohemi maksimalisht te Polonia të cilën shpresoj ta kalojmë”, ka thënë Duka për Federatën Shqiptare të Futbollit.
Çiftet e tjera gjysmëfinaliste të plejofit janë: Itali – Irlandë e Veriut, Turqi – Rumani, Ukrainë – Suedi, Danimarkë – Maqedonia e Veriut, Uells – Bosnjë-Hercegovinë dhe Çeki – Irlandë.