Shorti i plejofit për Botërorin 2026:

Gjysmëfinalet (Vazo 1 – 4):

(A) Italia - Irlanda e Veriut

(B) Ukraina - Suedia 

(C) Turqia - Rumania

(D) Danimarka - Maqedonia e Veriut 

Gjysmëfinalet (Vazo 2 – 3):

(A) Uellsi - Bosnia-Hercegovina 

(B) Polonia - Shqipëria

(C) Sllovakia - Kosova

(D) Çekia - Irlanda 


Finalet

Uellsi/Bosnja - Italia/Irlanda e Veriut

Ukraina/Suedia - Polonia/Shqipëria

Sllovaki/Kosovë - Turqia/Rumania

Çekia/Irlanda - Danimarka/Maqedonia


Ndeshjet do të luhen më 26 mars dhe 31 mars. 

Rrahmani kundër Lobotkës në plejof, e shohin bashkë shortin

3 j. më parë / 20 nën 2025 15:23
Amir Rrahmani dhe Stanislav Lobotka,

Dy futbollistët e Napolit, Amir Rrahmani dhe Stanislav Lobotka, do të përballen në gjysmëfinale të plejofit të Kupës së Botës 2026. Rrahmani është kapiten i Kosovës, ndërsa Lobotka prej më të mirëve te Sllovakia.

Rrahmani ka publikuar një video duke përcjellur së bashku me Lobotkan shortin e plejofit për Botërorin e vitit të ardhshëm. 

Të dy kanë qëndruar në dhomat e zhveshjeve të Napolit për ta parë shortin direkt nëpërmjet telefonave.

Përzgjedhësi i Polonisë: Nuk mund të ankohemi, jemi favoritë

3 j. më parë / 20 nën 2025 15:22
Polonia

Shqipëria do të luajë në gjysmëfinale të plejofit për Botërorin 2026 ndaj Polonisë. 

Ndeshjen gjysmëfinale në mars të vitit të ardhshëm, “kuqezinjtë” do ta luajnë në udhëtim. 

Përzgjedhësi i Polonisë, Jan Urban, ka thënë se shorti ishte i mirë dhe se Polonia është favorite. 

“Nuk mendoj se duhet të ankohemi. Kemi short të mirë, jemi favorit në ndeshjen e parë. Nuk mund ta fshehim këtë. Ne duhet ta shfrytëzojmë avantazhin e stadiumit si vendës”, ka deklaruar fillimisht Urban për “Sport.tvp” pas tërheqjes së shortit të enjten në Cyrih të Zvicrës. “Është e qartë se ne jemi favorit, por duhet ta respektojmë çdo ekip. Kemi përjetuar disa befasi, jo vetëm unë personalisht por edhe duke parë përfaqësueset e tjera. Respekti është gjithmonë i rëndësishëm, por duhet të kemi vetëbesim sepse kjo na ndihmon. Shorti është i mirë. Do të kthehemi me besim të plotë në rrugëtimin e plejofit”, ka shtuar Urban. 

Urbani është pyetur po ashtu se kë do ta preferonte në finalen e mundshme, Ukrainën apo Suedinë.

“Është e vështirë të thuhet, pasi Suedia edhe pse mori vetëm dy pikë në grupin kualifikues, e dinte se do të luante në plejof nëpërmjet Ligës së Kombeve. Ka ndryshim të trajnerit që shpesh e ndryshon situatën nëpër ekipe. Një gjë është e ditur, unë dhe selektorët e përfaqësueseve të tjera nuk e dinë se çfarë mund të ndodh në futboll, është kohë e gjatë në futboll. Ka afat kalimtar dhe shumë gjëra mund të ndodhin. Si trajner, uroj që të gjithë lojtarët të jenë në formën më të mirë për finalet e muajit mars”, ka deklaruar ai.

Polonia në rast se kalon tutje do të luante në udhëtim.

“Jemi të lumtur me shortin. Dy ndeshje në shtëpi do të ishte fat i madh. Nëse luajmë në finale, duhet të luftojmë për vendin në Kupën e Botës. Duhet ta bëjmë këtë sepse kështu e kërkon situata. Jemi të fokusuar vetëm në ndeshjen e parë, pa e harruar analizën ndaj Ukrainës dhe Suedisë”, ka shtuar Urban.

Gjsymëfinalja luhet më 26 mars, ndërsa finalja e plejofit luhet më 31 mars.

Mediat serbe “detyrohen” ta publikojnë flamurin e Kosovës

3 j. më parë / 20 nën 2025 15:20
Kosova

Flamuri i Kosovës si rrallë ndonjëherë është publikuar nga mediat serbe.

Pas shortit për plejof, media si “b92.net” kanë publikuar grafikat ndërkombëtare me çiftet e gjysmëfinaleve dhe rrugën për finale.

Dhe natyrisht në to është Kosova dhe flamuri i saj.

Ka pasur komente që mos të paraqitet flamuri i Kosovës.

Në shkrim “b92.net” e ka shkruar “e ashtuquajtura Kosovë”.

Serbia nuk është kualifikuar në Botëror e as në plejof.

Dhe kualifikimi i Kosovës solli “dhembje” për mediat në Serbi dhe shumë njerëz në këtë vend.

Te Sllovakia e cilësojnë kundërshtare të fortë Kosovën

3 j. më parë / 20 nën 2025 15:09
Sllovakia

Ndihmëstrajneri i përfaqësueses së Sllovakisë, Simone Bonomi, ka thënë se Kosova është kundërshtare e fortë.

Sllovakia dhe Kosova do të përballen në gjysmëfinale të plejofit për Kupën e Botës 2026. Është hera e parë që përballen kundër njëra-tjetrës.

“Kosova është padyshim një kundërshtare e pakëndshëm. Në kualifikuese, ata e mposhtën Suedinë dy herë, gjithashtu fituan ndaj Sllovenisë, ekipe që i njohim. Ata kanë lojtarë shumë të mirë si Rrahmani, Muriqi, Vojvoda dhe të tjerë. Për herë të parë, ata janë kaq afër avancimit në Kupën e Botës, gjë që me siguri do t’u japë lojtarëve të tyre entuziazëm të madh. Fakti që po luajmë në shtëpi mund të jetë një avantazh për ne”, ka thënë Bonomi për Federatën e Futbollit të Sllovakisë.

Edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Peter Palençik, ka thënë se Kosova ka cilësi të mëdha në skuadër.

“Fakti që të gjithë pjesëmarrësit në plejof kaluan nëpër një kualifikim të vështirë flet shumë për cilësinë e tyre. Kjo është arsyeja pse ishte e vështirë të urojmë dikë si kundërshtar. Kosova është një rivale e panjohur për ne, por bazuar në rezultatet në kualifikime, duhet ta respektojmë që është një ekip i fortë. Fakti që do ta luanim edhe ndeshjen e dytë, finalen e plejofit, në shtëpi, na kënaq, nuk kemi pse të udhëtojmë drejt kundërshtarit për ndeshjen vendimtare. Do të njoftojmë se ku do të luhet ndeshja deri më 26 nëntor. Pra, kemi ende pak kohë, do të mendojmë për mundësitë reale dhe do ta informojmë publikun”, ka thënë Palençik.

Duka komenton shortin: Nuk prisja ndonjë dhuratë

3 j. më parë / 20 nën 2025 14:45
Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar shortin e plejofit për Kupën e Botës 2026.

Shqipëria do të përballet kundër Polonisë në gjysmëfinalen e plejofit për Botërorin e vitit të ardhshëm. Do të luajë në udhëtim me polakët. Por Duka shpreson ta kaloj pengesën e parë drejt kualifikimit për Kupën e Botës.

“Nuk prisja se do të kishte ndonjë dhuratë. Këtu janë të gjitha ekipet të forta. Polonia është skuadër me të cilën kemi luajtur në 2-3 vitet e fundit, shumë e fortë me një nga yjet e futbollit evropian. Por ne do të përqendrohemi maksimalisht te Polonia të cilën shpresoj ta kalojmë”, ka thënë Duka për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Sllovakia kundërshtarja e radhës që nuk e njeh Kosovën

3 j. më parë / 20 nën 2025 14:43
Sllovakia

Sllovakia është përfaqësuesja e radhës e një shteti që nuk e njeh shtetin e Kosovës e që do të luajë ndaj përfaqësueses së Kosovës në futboll. Kosova në gjysmëfinale të pljeofit për kualifikim në Kupën e Botës do të përballet me Sllovakinë. Shorti është tërhequr

Sllovakia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por sportistët kosovarë kryesisht nuk kanë pasur telashe në këtë vend. Edhe sllovakët patën kualifikime të mira. Përfunduan në vendin e dytë në grup me Gjermaninë. Gjermania i mblodhi 15 pikë, Sllovakia 12, Irlanda e Veriut nëntë dhe Luksemburgu mbeti pa pikë. Në shtator, Sllovakia e kishte mposhtur 2:0 Gjermaninë në Bratisllavë. Por gjermanët e fituan 6:0 ndeshjen vendimtare për vend të parë me Sllovakinë, të hënën në Leipzig.

Kosova me Sllovakinë nuk ka luajtur deri më tani. Kosova do ta zhvilloj në udhëtim ndeshjen gjysmëfinale të plejofit.

Nëse Kosova do të paraqitet në finale të plejofit, atëherë do të përballet me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani. Kosova në të kaluarën ka luajtur kundër këtyre dy përfaqësuesve. Kosova kundër Rumanisë ishte përballur katër herë. Ka tri humbje dhe një barazim. Njëra prej tri humbje ishte me rezultat zyrtar. Ndeshja e 15 nëntorit të vitit të kaluar ndaj Rumanisë ishte ndërprerë në minutat e fundit kure rezultati ishte 0:0.

Pas disa përplasjeve të lojtarëve në fushë, një grup i tifozëve rumunë nisën thirrjet “Serbia, Serbia”. Lojtarët e Kosovës vendosën të lëshojnë fushën dhe nuk u kthyen edhe kur këtë ua kërkoi gjyqtari i ndeshjes.

Huliganët, të grupuar në grupin “Uniti Sub Tricolori”, kishte bërë thirrje kundër Kosovës edhe në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Më pas kishte shpalosur banerin “Kosova është Serbi” në Bukuresht, duke shkaktuar telashe disa herë në ndeshjet e Rumanisë me Kosovën.

Ndërkohë, raportet me Turqinë i ka të shkëlqyera, ndonëse i ka humbur dy përballjet e ciklit të parë kualifikues për Botërorin “Rusia 2018”.

Ademi për KOHËN: Besojmë se do të kalojmë në finale

3 j. më parë / 20 nën 2025 14:26
Agim Ademi - FFK

Photo: Driton Paçarada

Presidenti i Federatë së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se Sllovakia është kundërshtare e fortë. Por i pari i FFK-së, beson se Kosova ka potencial për të kaluar në finale të plejofit për Kupën e Botës. 

“Të gjitha përfaqësueset e përfshira në short janë të forta. Sllovakia është e fortë dhe do të luajmë në vendin e tyre. Por besoj në grupin dhe uroj të mos kemi mungesa dhe të gjithë lojtarët të jenë në dispozicion të trajnerit Franco Foda. Shpresoj dhe besoj se do ta kalojmë këtë hap dhe të sigurojmë finalen”, ka thënë Ademi për KOHËN të enjten.

Nëse Kosova do të paraqitet në finale të plejofit, atëherë do të përballet me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani. Kosova në të kaluarën ka luajtur kundër këtyre dy përfaqësuesve.

Ai ka thënë se fillimisht fokusi është te ndeshja me Sllovakinë. 

“Ta kalojmë këtë hap dhe pastaj të shohim hapin e radhës. Uroj të jetë pozitiv për ne”, ka theksuar Ademi.

Shqipëria përballet me Poloninë e Lewandowskit

3 j. më parë / 20 nën 2025 13:48
Shqiperia

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, do të luajë kundër Polonisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2026.

Shorti i tërhequr të enjten në Cyrih të Zvicrës, e ka vënë Shqipërinë përballë polakëve të udhëhequr nga ylli i Barcelonës, Robert Lewandowski.

E në rastin e Shqipërisë, për të shkuar në botëror duhet t’i fitojë dy ndeshje si mysafire. 

Pos Polonisë më 26 mars, duhet ta mposhtë si mysafir edhe fituesin e duelit Ukrainë – Suedi.

Përzgjedhësi Sylvinho u shpreh se Shqipëria e Polonia e njohin mirë njëra-tjetrën. 

“Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. Po flisja me shumë të tjerë, italianë dhe përfaqësues të tjerë. Në futboll, për 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë gjithashtu. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara”.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se nuk ka pritur kundërshtar të lehtë në short.

“Nuk prisja se do të kishte ndonjë dhuratë. Këtu janë të gjitha ekipet të forta. Polonia është skuadër me të cilën kemi luajtur në 2-3 vitet e fundit, shumë e fortë me një nga yjet e futbollit evropian. Por ne do të përqendrohemi maksimalisht te Polonia të cilën shpresoj ta kalojmë”, ka thënë Duka për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Çiftet e tjera gjysmëfinaliste të plejofit janë: Itali – Irlandë e Veriut, Turqi – Rumani, Ukrainë – Suedi, Danimarkë – Maqedonia e Veriut, Uells – Bosnjë-Hercegovinë dhe Çeki – Irlandë.

Kosova përballet me Sllovakinë në plejof

3 j. më parë / 20 nën 2025 13:48
Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, e ka mësuar kundërshtarin e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Kosova do të përballet me Sllovakinë në plejofin për Kupën e Botës 2026.

Ndeshja zhvillohet në mars, ndërsa Kosova do të jetë mysafire.

Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 26, derisa finalet e plejofit më 31 mars.

Shorti u tërhoq të enjten në Cyrih të Zvicrës.

Kosova ishte në vazon e tretë. Ndarja e përfaqësueseve në tri vazot e para është bërë në bazë të ranglistës së FIFA-s të publikuar të mërkurën. Dhe rrjedhimisht Kosova e 80-ta në ranglistën e FIFA-s, ishte e fundit në vazon e tretë.

 Botërori zhvillohet vitin e ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Kosova e përfundoi në vendi ne dytë ciklin kualifikues për Kupën e Botës në grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.

Zvicra u kualifikua direkt në Botëror, ndërsa në plejof do të paraqitet edhe Suedia falë suksesit në Ligën e Kombeve.