Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shtegtari Sadiku: 17 klube në 17 vjet karrierë

Armando Sadiku

Armando Sadiku

Termi “shtegtar” në futboll përdoret shpesh. Kur një lojtar profesionist luan për katër klube në tri vende të ndryshme llogaritet i tillë. Për Armando Sadikun ky term arsyetohet plotësisht. Sulmuesi i qendrës ka luajtur në plot 17 klube, në tetë shtete e tri kontinente përgjatë 17 vjetëve karrierë në futbollin profesionist.

Sadiku e ka shëtitur botën, jo vetëm në aspektin gjeografik. Ai ka luajtur ndeshje në shtëpi në nivel të detit dhe në lartësi mbidetare prej 4000 metra. Në vende ku të tjerët zhyten në ujë apo ngjiten në male, Sadiku ka kërkuar gola.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Që nga vera e vitit të kaluar ai luan për Bellinzonan në kategorinë e dytë të Zvicrës dhe i ka shënuar pesë gola. 

Ish-reprezentuesi i Shqipërisë e kaloi vitin e parë si profesionist në vendlindje e më pas kaloi te Locarno në Zvicër në vitin 2011. Në tetë vjetët në vijim bëri emër për vete në skuadrat zvicerane, Lugano dhe Zurich, por luajti edhe për Vaduzin në Lihtenshtajn, Legia Varshavën në Poloni dhe Levanten në Spanjë.

Karriera u kthye në aventurë në pesë vjetët e fundit. Pas disa angazhimeve në Spanjë, Sadiku fillimisht lëvizi për në Turqi e më pas në Bolivi dhe Indi. Rrëfimet më interesante të këtij shtegtari vijnë nga këto dy vende.

Në Bolivi, kushëriri i Granit Xhakës luajti për Bolivar Le Paz. Varësisht nga stadiumi, klubi ka luajtur në lartësi mbidetare prej 3700 metra deri afër 4200 metra. Sfidë për të gjithë lojtarët që nuk janë nga Bolivia.

“Asnjëherë nuk jam ndier plotësisht komod në atë lartësi. Kam pasur telashe për të marrë frymë. Pas dy xhirove rreth fushës, isha i shpenzuar”, thotë Sadiku për “SRF”.

Periudha e tij atje, si shumë të tjera në karrierë, zgjati gjysmë viti. Lojtari me 39 paraqitje për Shqipërinë u kthye në Spanjë për dy edicione para se të kalonte te Mohun Bagan në Indi.

“Muajt e parë ishin të vështirë pasi ishte kulturë krejt tjetër. Por pas kësaj, ishte shumë mirë. Njerëzit ishin shumë mikëpritës”, thotë Sadiku.

Ai ishte i paguar shumë mirë në Indi dhe ka jetuar si mbret në hotelet më të mira. Kalimin në Indi e vlerëson vendimin më të mirë në karrierë.

Pas një edicioni me Mohun Bagan, Sadiku iu bashkua FC Goas në verë 2024. Koha e tij atje përfundoi pas nëntë muajsh dhe me dhjetë gola në 24 ndeshje. Sadiku do të dëshironte të qëndronte më gjatë në Indi, por familja e tij dëshironte të kthehej në Evropë.

Sadiku është kthyer në Ticino të Zvicrës dhe xhiroja ka përfunduar. Kontrata e tij me Bellinzonan përfundon në vitin 2027. Ai dëshiron që karrierën ta përfundojë në Shqipëri. 

“Isha me fat që kisha përvoja të ndryshme. Ky është përfitim i madh për mua dhe kjo do të më ndihmoj edhe pasi t’i jap fund karrierës”, thotë sulmuesi.