Futboll

Shumë skenarë për dy xhirot e fundit të Superligës

Suhareka

Cili do të jetë ekipi i dytë i Superligës që edicionin e ardhshëm bashkë me Feronikelin 74 do të paraqitet në Ligën e Parë të Kosovës në futboll?

Dy xhiro para fundit ka shumë skenarë e shumë opsione. Por, si rrallëherë në të kaluarën, çdo gjë është e hapur.

Gara për t’i shpëtuar rënies dhe për të shmangur pozitën e barazhit do të jetë plotësisht e hapur deri në fund.

Beteja kryesore është për të shmangur rënien direkte. Të rrezikuar janë Suhareka e Llapi, por edhe Prishtina dhe Dukagjini.

Suhareka është në vendin e nëntë, përkatësisht të parafundit, me 39 pikë. Por ekipi suharekas me fitoren 4:2 ndaj Llapit në xhiron e kaluar ka rritur shumë shpresat për të siguruar të paktën barazhin.

Suhareka është vetëm dy pikë prapa Llapit, që zë vendin e tetë. Llapi i ka 41 pikë. Skuadrat e dy vendeve të fundit bien direkt nga Superliga, kurse skuadra e vendit të tetë vazhdon në barazhin për mbetje në Superligë.

Prishtina është në vendin e shtatë me 44 pikë, kurse Dukagjini në vendin e gjashtë me 45 pikë.

Trajneri i Suharekës, Mirel Josa, thotë se i pret punë e vështirë për të siguruar mbijetesën.

“Ne si Suharekë jemi të ndërgjegjshëm që gjërat janë të vështira. Neve na duhet t’i shohim vetëm llogaritë tona. Ta bëjmë punën tonë për sa u përket ndeshjeve që na kanë mbetur. Janë dy ndeshje dhe pastaj të shohim përballjet e skuadrave tjera. Ishte vendimtare ndeshja ndaj Llapit. Por ne nuk duhej ta kishim lënë veten të shkonim në këto pozita”, ka thënë Josa të mërkurën.

Ekipi tij të shtunën luan në udhëtim ndaj Malishevës, e cila po ashtu synon fitore për të ruajtur vendin e tretë që siguron paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Edhe gara për vendin e tretë është e hapur. Këtë pozitë e synojnë edhe Gjilani dhe Ferizaj, që kanë nga 49 pikë. Pra janë vetëm tri pikë prapa Malishevës.

Josa ka besim te lojtarët. Thekson se ndaj Malishevës dhe kundër Ballkanit në ndeshjen e fundit mund të arrijnë rezultate pozitive.

“Skuadra kishte mundësi edhe më herët të ecte përpara në disa ndeshje, por nuk dua të kthej kokën prapa. Unë po mundohem t’ia nxjerr maksimumin skuadrës”, është shprehur Josa.

Josa për një periudhë të shkurtër punoi edhe te Vëllaznimi i Gjakovës. Ai ka punuar edhe te Prishtina, ndërsa thotë se rivaliteti këtë edicion në Superligë ka qenë i madh. Sipas Josës, fushat në të cilat po luhen ndeshjet e Superligës po i penalizojnë lojtarët.

“Lojtarët nuk po mund të japin maksimumin”, thotë trajneri me përvojë.

Formë të mirë në ndeshjet e fundit ka treguar edhe Dukagjini. Dukagjini nuk ka humbur asnjë ndeshje në gjashtë xhirot e fundit. Ka katër barazime e dy fitore.

Seria e mirë e rezultateve, por edhe gabimet e ekipeve tjera që po luftojnë për mbijetesë kanë bërë që ekipi i drejtuar nga Ismet Munishi të ketë ngritje në tabelë.

Dukagjini është i gjashti, ndërsa në fundjavë luan kundër Ferizajt. Në xhiron e fundit luan në Podujevë kundër Llapit.

“Kohët e fundit po kalojmë formë të mirë. Në gjashtë ndeshjet e fundit nuk kemi asnjë humbje. Po përgatitemi maksimalisht për sfidën e së shtunës kundër Ferizajt dhe me çdo kusht do t’i kërkojmë tri pikë për ta siguruar edhe matematikisht qëndrimin edhe për një edicion tjetër në Superligë. Duke pasur parasysh investimet e skuadrave këtë vit dhe vështirësitë që kanë hasur shumë skuadra që kanë hyrë me objektiva madhor, mendoj se mund ta konsiderojmë si një edicion pozitiv për ne”, ka thënë kapiteni i Dukagjinit, Elton Basriu.

Drita është kampione, kurse Ballkani nënkampion. Shumë më herët Feronikeli 74 ka humbur gjasat për mbetje në elitë. 

Java 35

Dukagjini – Ferizaj

Feronikeli 74 – Prishtina

Gjilani – Drita

Malisheva – Suhareka

Ballkani – Llapi

Java 36

Ferizaj – Gjilani

Prishtina – Malisheva

Drita – Feronikeli 74

Llapi – Dukagjini

Suhareka – Ballkani