Futboll

Si po ia del fshati i peshkatarëve t’i befasojë të gjithë në Suedi?

Mjallby

Një fshat i peshkatarëve me 1500 banorë po e synon titullin e kampionit të Suedisë në futboll. Rritja e klubit Mjallby AIF, është i lidhur me perspektiva të reja. “Ne luajmë ku bota përfundon dhe deti fillon”, thonë në klub

Hallevik, 3 shtator (Kicker) – Gjithmonë përgjatë plazhit, përtej kampingut në të majtë. Kushdo që e kërkon stadiumin e liderit të ligës, Mjallby AIF, në fshatin jugor suedez të peshkimit, Hallevik, nuk do të ketë nevojë të kërkojë shumë larg.

“Ne luajmë ku bota përfundon dhe ku deti fillon”, është përshkrimi i klubit në stadiumin vendas, të njohur me emrin Strandvallen.

Nëse çdo gjë shkon si duhet, Mjallby do ta festojë titullin e parë të kampionit, plotësisht të papritur, brenda pak javësh.

Halleviku, fshati plotësisht në jug të Suedisë, ka 1485 banorë, por duket që i ka 10 mijë pulëbardha deti. Mjallby fqinj, ashtu si quhet edhe klubi, ka popullsi prej vetëm 1379 banorësh.

Por klube të mëdha si Malmo, AIK e Goteborg janë prapa autsajderit. Pas fitores 1:0 në fundjavë ndaj Halmstadit, Mjallby ka tetë pikë më shumë se Hammarby i vendit të dytë. Deri në fund të kampionatit në Suedi janë edhe tetë xhiro.

Lojtarët kryesorë të ekipit janë golashënuesi më i mirë Abdoulie Manneh, që i ka nëntë gola, mesfushori Elliot Stroud, që shënoi penallti vendimtare ndaj Halmstadit dhe Axel Noren.

Mbrojtësi i qendrës ishte ftuar nga Suedia në qershor, por nuk luajti ndaj Hungarisë apo Algjerisë. Në përgjithësi Mjallby po paraqitet mirë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Me 42 gola ka sulmin më të mirë, së bashku me Hammarbyn. Ka po ashtu mbrojtjen më të suksesshme me vetëm 16 gola të pranuara.

Duket e pabesueshme, por në vitin 2016, Mjallby vetëm në xhiron e fundit shmangu rënien në kategorinë e katërt suedeze. Dhe pastaj nisi një proces i rindërtimit. Madje pa investitor.

Shpirti i ekipit ende luan rol vendimtar. Shumë lojtarë ende jetojnë së bashku në një konvikt.

“Kur nuk kemi çka të bëjmë, pjekim në skarë, gatuajmë së bashku, dalim”, ka thënë Stroud për BBC.

Ekspertët e taktikës e shohin asistent-trajnerin, Karl Marius Aksum si faktor vendimtar. 35-vjeçari ka doktoraturë në përceptimin vizual në futboll dhe po zbaton njohuritë e tij në Mjallby.

“Askush në botë nuk ka studiuar lëvizjet e syve të futbollistëve aq intensivisht sa unë. Megjithatë, në futbollin modern mbledhja e informacioneve rreth mjedisit përreth është thelbësore”, thotë trajneri norvegjez. Ai ka synim që shpejtë të bëhet kryetrajner i një klubi të madh.

Aksum po ashtu po përpiqet të optimizojë lëvizjet aktive të kokës së lojtarëve kur ata e marrin topin. Për shembull, për të përceptuar më mirë mjedisin përreth.

Kryetrajneri i skuadrës, Anders Torstensson, po ashtu ka rrëfim të veçantë. Suedezi ka shërbyer dhjetë vjet në ushtri, më pas ka punuar si drejtor shkolle dhe më në fund si trajner në ish-klubin e tij, Mjallby.

Në verën e vitit të kaluar, 59-vjeçari është diagostikuar me leukemi limfocitike kronike.

“Trajtimi nuk është i nevojshëm, kështu që unë vazhdoj. Do të mund të ishin 100 diagnoza më të këqija”, thotë Tortensson.

 Dhe kështu çdo gjë vazhdon si zakonisht në Hallevik. Banorët e qytetit mund të mbushin vetëm një të pestën e stadiumit Strandvallen, ku ketrat enden herë pas here në fushë, duke shkaktuar ndërprerje të ndeshjeve.

Ky vend është i arritshëm vetëm me veturë, nuk ka lidhje me tren ose autobus. Por “arena më e bukur e Suedisë” është pothuajse gjithmonë e mbushur. Nuk është befasi. Mjallby nuk ka humbur asnjë nga 19 ndeshjet në shtëpi, që nga maji 2024.

Nëse gjërat vazhdojnë kështu, fundi i lumtur nuk është larg. 22 xhiro janë zhvilluar tashmë. Në Suedi kampionati zhvillohet gjatë gjithë vitit kalendarik, jo me vjeshtë e pranverë. Përfundon në nëntor. Me gjasë me një befasi shumë të madhe.