Arbëri

LVV: Gjykata Kushtetuese e ka tejkaluar rolin e saj

Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Listës Serbe, lidhur me nënkryetarin e Kuvendit, dëshmon mungesë serioze konsistence të gjykatës. 

Përmes një reagimi, kjo parti ka shprehur se Kushtetuesja e ka ndryshuar qëndrimin e vet brenda katër muajve për të njëjtën çështje kushtetuese. 

Sipas këtij subjekti, Gjykata po krijon në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt konkret, Listën Serbe. 

“Një gjykatë kushtetuese që ndryshon qëndrimin për çështje identike kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik, cenon jo vetëm parimin e parashikueshmërisë të së drejtës, por edhe besimin e qytetarëve në koherencën e rendit kushtetues. Një ndryshim i tillë nuk mund të justifikohet si zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon elementi thelbësor i tij evolucioni i rrethanave normative ose shoqërore. Në këto kushte, ndryshimi i qëndrimit merr karakterin e një përdorimi formal të kompetencës gjyqësore për të prodhuar një rezultat të ri normativ, çka përbën formë klasike të abus de droit”, thuhet në reagim.

Sipas LVV-së, Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar rolin kushtetues. 

“Gjykata Kushtetuese nuk ka rol kontrollues mbi legjislativin, as rol arbitri politik. Ajo ka vetëm një rol: autoritetin përfundimtar në interpretimin e çështjeve kushtetuese. Ky autoritet nuk i jep mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh. Gjykata aktuale Kushtetuese është duke bërë hermeneutikë të teksteve të veta. Kur Gjykata Kushtetuese bëhet autoreferenciale, ajo kalon jashtë kufijve kushtetues”, thotë më tej në reagim. 

Vetëvendosje ka deklaruar tutje se duke zgjeruar kompetencat e saj “qëllimisht po formësohet një pol pushteti paralel dhe i padukshëm nga sovrani, i cili shfaqet sa herë demokracia fillon të marrë hov dhe jeta realpolitike prodhon kontradikta”. 

“Dhjetra ligje reformuese e me interes për vendin Gjykata Kushtetuese i ka bllokuar, e pastaj shfuqizuar pjesërisht ose në tërësi shumicën prej tyre. Kjo luftë e tyre ndaj Qeverisë po bën aq shumë dëme: nga rrëzimi i Ligjit për çmime tavan për produktet bazë e deri te bllokimi tash e 770 ditë i Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës”, thuhet në reagim. 

Më tutje ka arsyetuar se Kushtetuta e thotë se “nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhjet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe me shumicën e votave të Kuvendit”, dhe duke theksuar më tej në arsyetim se çdo kriter shtesë është krijim norme, jo interpretim. 

Ndërkohë, LVV-ja ka shtuar se Kushtetuesja po e bën të kundërtën e asaj që thuhet në Propozimin e Ahtisarit, duke theksuar se dispozitat e tij “njohin përfaqësimin e komuniteteve, jo dominimin e një subjekti politik mbi institucionet”. 

“Gjykata Kushtetuese po dëshiron të kapërcejë ekipin negociator të vitit 2006 dhe Ahtisaarin në 2007”.

Ndërkaq, shpreh më tej se Kushtetutën gjykata e ka shndërruar “në materie diskutimi dhe tkurrjeje, jo zbatimi”. 

“Çdo interpretim që e sakrifikon këtë funksionalitet për hir të një subjekti politik, i cili për më keq s’e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues dhe e dëmton atë. Sipas Kushtetutës ne jemi shoqëri multietnike, jo shtet multietnik, sepse jemi Republikë demokratike e parlamentare dhe jo federatë a konfederatë. Këtë nuk mundet ta ndërrojë asnjë gjykata, as kjo kushtetuesja”, thuhet në përfundim të reagimit të LVV-së.