Përfaqësuesja e San Marinos në futboll është e fundit në grupin kualifikues për Kupën e Botës 2026. San Marino është pa gjasa që të kualifikohet në Botëror përmes kualifikimeve të rregullta. Madje është pa gjasa edhe për plejof, që sigurohet përmes pozitës së dytë në grup.
Duket e pabesueshme, por plejofi është i mundur për San Marinon, falë një skenari tjetër. San Marino ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Botërorin 2026 e luan në Bukuresht ndaj Rumanisë, më 18 nëntor.
Në Grupin H e para është Austria me 15 pikë. Bosnjë-Hercegovina i ka 13 pikë në vendin e dytë, ndërsa Rumania është e treta me 10 pikë. Pason Qiproja me tetë pikë dhe San Marino pa pikë.
Përfaqësuesja e vendit të dytë në grup kualifikohet në plejof, njëjtë si të gjitha përfaqësueset tjera të vendit të dytë. Por në plejof kalojnë edhe katër përfaqësueset më të ranguara, fituese të grupeve në Ligën e Kombeve.
Pasi Rumania është fituese e grupit në Ligën e Kombeve dhe Bosnjë-Hercegovina nuk është, është në interesin e San Marinos që Rumania të përfundojë e dyta në grupin kualifikues për Botëror. Kështu Rumania nuk do të zinte njërin prej vendeve që u takojnë fituesve të grupeve në Ligën e Kombeve dhe rrjedhimisht gjasat e San Marinos për paraqitje në plejof do të rriteshin.
Kështu, San Marinos i duhet të humbë nga Rumania dhe të shpresojë që ajo të përfundojë më lart se Bosnjë-Hercegovina. Por që San Marino të paraqitet në plejof i duhet që të paktën tetë prej 12 fituesve të tjerë të grupeve në Ligën e Kombeve të jenë në dy pozitat e para në grupet e kualifikimeve të rregullta.
Duket skenar bizar, por i mundshëm. Natyrisht, San Marino do të ishte autsajdere e plotë në plejofin për kualifikim në Botëror. Por do të ishte një e arritur e rëndësishme për këtë përfaqësuese, që në kualifikimet e rregullta i ka humbur shtatë ndeshjet e deritashme.
Në Ligën e Kombeve, San Marino fitoi grupin në Ligën D, ku ishin edhe Gjibraltari dhe Lihtenshtajni.
Në Grupin H më 15 nëntor janë ndeshjet Qipro – Austria dhe Bosnjë-Hercegovina – Rumania. Ndërkohë më 18 nëntor janë takimet Austria – Bosnjë-Hercegovina dhe Rumania – San Marino.
Nëse gara mbetet e hapur për xhiron e fundit, atëherë San Marinos i përshtatet humbja me sa më shumë gola dallim.