Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

“Sky Sports”: Rikthimi i fuqishëm i Xhakës

Granit Xhaka

“Granit Xhaka ka kthyer Sunderlandin në rrugën e duhur”.

Kështu ka shkruar të dielën mediumi i fuqishëm anglez, “Sky Sports”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas lëndimit që e mbajti jashtë fushës për pesë ndeshje, Xhaka të shtunën startoi dhe luajti 76 minuta për Sunderlandin në barazimin 1:1 në udhëtim me Bournemouthin. Në fakt mesfushori u kthye ndaj Fulhamit një javë më herët, por luajti vetëm 20 minutat e fundit në humbjen 3:1 nga Fulhami.

Të shtunën startoi dhe Sunderlandi mori pikë në Premier League pas një kohe të gjatë.

Sunderlandi ishte në seri prej tri humbjeve në kampionatin anglez.

“Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, vlerësoi ‘qëndrueshmërinë’ dhe ‘intensitetin’ e skuadrës pas barazimit 1:1 me Bournemouthin dhe kështu i dha fund serisë prej tri humbjeve në Premier League. Nuk ishte rastësi kjo, pasi Granit Xhaka po luante si titullar për herë të parë pas gjashtë javës. ‘Macet e zeza’ kanë pasur rënie të formës së fundi, pas fillimit të pabesueshëm. Por me kapitenin Xhaka të kthyer në fushë ndaj Bournemouthit, skuadra dukej si në ditët më të mira të edicionit”, ka shkruar “Sky Sports” në analizën e bërë.

Xhaka, sipas “Sky Sports”, solli luftë, qetësi dhe cilësi në mesfushë. Ishte i pari për saktësinë e pasimeve në mesin e lojtarëve që startuan te Sunderlandi. Ka udhëhequr në ndeshje edhe në shumë elemente të tjera të lojës.

Zëvendësimi i tij ishte i planifikuar dhe pjesë e rikthimit gradual pas lëndimit të kyçit të këmbës. “Ndeshja ishte dëshmi se pse Sunderlandi ka nevojë që ai të jetë i gatshëm dhe të ofrojë cilësi në fazën finale të edicionit, për të përfunduar fuqishëm kampanjën mbresëlënëse”, shkruan “Sky Sports”.

Sunderlandi i ka 37 pikë në mesin e tabelës. Është më afër zonës që dërgon në Evropë se asaj që dërgon në kategorinë e dytë.

Trajneri Le Bris ka pranuar rëndësinë e Xhakës.

“Graniti është i rëndësishëm pasi në këtë ligë ju duhet të keni dy apo tre lojtarë bartës. Dhe Graniti është një prej tyre për ekipin tonë. Ju mund të ndieni dallimin kur ai është këtu me ne. Mbi të gjitha ai ka kualiteti, por po ashtu u jep bashkëlojtarëve besim dhe i shtynë ata përpara”, ka thënë Le Bris.