Ka bërë bujë shitja e biletave brenda tri orësh për ndeshjen që Kosova e luan më 10 tetor në “Fadil Vokrri”, në Prishtinë kundër Sllovenisë.
Ndeshja Kosovë – Slloveni u takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 në futboll.
Mediumet sllovene të mërkurën kanë shkruar se të përzgjedhurit e Matjazh Kekut i pret atmosferë e zjarrtë në Prishtinë.
“Ndeshja e radhës kualifikuese e ekipit slloven të futbollit është më 10 tetor, kur ekipi i Matjazh Kekut vizion Kosovën. Atje, ekipi ynë i përzgjedhur do të përballet me një ferr të vërtetë tifozësh, me biletat për ndeshjen që u shitën brenda tri orësh”, shkruan mediumi slloven “sportklub” të mërkurën.
Tutje ky medium ka shkruar për euforinë e tifozëve pas fitores së madhe të Kosovës ndaj Suedisë.
“Sllovenët do të vendosin për fatin e tyre në tetor, kur do të përballen me dy detyra të vështira. Së pari ata do të përballen me një ndeshje në Kosovë më 10 tetor, nga ku ka informacione rreth euforisë që ka përfshirë vendin”, shkruan ndër të tjera “sportklub”.
Është pritur interesim i madh pas fitores së Kosovës ndaj Suedisë 2:0, më 8 shtator, në “Fadil Vokrri”. Atmosfera në tribuna ishte e zjarrtë. Edhe më e madhe ishte festa pas fitores.
“Dardanët” kanë ngjallur shpresën për kualifikim në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Kosova luan tjetër ndeshje në tetor kundër suedezëve. Më 13 tetor të përzgjedhurit e Franco Fodas luajnë në Goteborg.
Sllovenia barazoi 2:2 në shtëpi me Suedinë, ndërsa pësoi humbje 3:0 nga Zvicra në Basel.