Futboll

Suhareka fiton pas gjashtë ndeshjeve

Suhareka

Suhareka ka shënuar fitore në elitën e futbollit të Kosovës pas pesë humbjeve e një barazimi. 

Të mërkurën në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, Suhareka fitoi 3:1 në udhëtim te skuadra e Feronikelit 74 dhe mban gjallë shpresat për mbetje në elitën e futbollit të Kosovës. 

Me fitoren e arritur në Drenas, Suhareka tani ka 36 pikë pas 33 ndeshjeve të luajtura, katër më pak se Llapi që zë vendin e tetë, përkatësisht të barazhit. Llapi e ka një ndeshje më pak të luajtur. 

Deri në fund të Superligës së Kosovës kanë mbetur edhe tri xhiro. 

Suhareka kaloi në epërsi me golin e Jakup Berishës në minutën e nëntë.  

Për 2:0 realizoi Fitim Susuri në minutën e 29-të. 

Në pjesën e dytë, Suhareka realizoi edhe një tjetër gol me Mevlan Zekën, në minutën e 57-të. 

Zeka tani ka 17 gola në kampionat dhe është barazuar me Sunday Adetunjin, sulmuesin e Ballkanit. 

Feronikeli 74 arriti që të shënojë me Adonis Qorrin në minutën e 73-të. 

Nga minuta e 85-të te Suhareka me të kuq u përjashtua Steven Kodra. 

Pavarësisht një lojtari më shumë në fushë, vendësit që në edicionin tjetër do të luajnë në Ligën e Parë, nuk arritën të shënonin më gola. 

Në minutat e fundit Donat Hasanaj i Suharekës realizoi autogol, por pas rishikimit të situatës në VAR, goli u anulua për ndërhyrje të palejuar në mbrojtësin e krahut të djathtë.

Lexo përditësimet tjera
Suhareka

Suhareka shënon edhe golin e tretë

(E përditësuar) - Suhareka e ka shënuar edhe golin e tretë në Drenas ndaj Feronikelit 74. ...