Futboll

Suksesi historik ka motivuar Dritën, tani synohet edhe më shumë

KF Drita

Kualifikimi për fazën e ligës në “Conference League” ishte sukses historik për Dritën e Gjilanit. Kalimi në rundin e plejofit të fazës nokaut është sukses historik për Dritën dhe për futbollin kosovar në përgjithësi.

Por gjilanasit nuk ndalen. Tani synojnë avancimin në një të tetën e finales në Ligën e Konferencës.

Drita të enjten e përfundoi garën në fazën e ligës. U mposht 3:0 nga Rayo Vallecano në Spanjë. Por me dy fitore, dy barazime e dy humbje përfundoi në vendin e 20-të prej 36 skuadrave sa ishin në fazën e ligës.

Mbrojtësi i djathtë, Besnik Krasniqi ishte prej bartësve të lojës së gjilanasve në këtë rrugëtim. Krasniqi ka folur të premten për KOHËN pas suksesit historik.

“Është një ëndërr e realizuar, por për realizimin e së cilës është dashur shumë përkushtim e angazhim. Prej momentit kur jemi shpallur kampion e kemi pasur qëllimin që të hyjmë në fazën e ligës. Dhe tani po dalim prej saj si fitues”, ka thënë futbollisti me përvojë.

Drita në fazën e ligës nisi me dy barazime. Më pas shënoi dy fitore e në fund i pësoi dy humbje.

Më 16 janar e mëson kundërshtarin e plejofit të fazës nokaut. Do të luajë sërish me AZ Alkmaarin apo me Celjen e Sllovenisë.

“Pavarësisht vështirësive dhe të papriturave që patëm gjatë rrugës, ekipi është i lidhur si një familje. Përkundër mungesave të disa lojtarëve, ne që ishim në fushë jemi munduar të japim maksimumin, ndonëse ishte e vështirë pa ta”, ka theksuar Krasniqi.

Ballkani i Suharekës arriti dy herë në fazën grupore në Ligën e Konferencës. Por pa avancuar nga grupi. Faza grupore ndërkohë, u zëvendësua me fazë të ligës, ndërsa Drita ishte e para prej skuadrave kosovare që u paraqit në të. Dhe Drita që në tentimin e parë avancoi në nokaut.

“Edhe suksesin që e kemi, kalimin me sukses të ligës, pak njerëz e kanë besuar. Por e kemi arritur. Dhe kalimi i kundërshtarit të ardhshëm nuk është i pamundur”, ka thënë Besnik Krasniqi.

Drita ka humbur dy ndeshjet e fundit me shifrat 3:0. Para Vallecanos me këtë rezultat skuadrën kampione e mposhti edhe AZ Alkmaari në Prishtinë.

Por këto dy ndeshje do të shërbejnë si mësim për lojtarët e Zekirija Ramadanit.

“Gjithë ky rrugëtim i gjatë për mua dhe ekipin ishte sfidë në vete. Ndeshja më emocionuese ishte ajo në plejof për futje në ligë. Sa i takon ndeshjeve më të vështira, mund t’i dalloj ato me AZ Alkmaarin dhe Rayo Vallecanon. Megjithatë, mentaliteti ynë si skuadër nuk na lë asnjëherë të dorëzohemi. Do të vazhdojmë me kokën lart”, premton Krasniqi.

Drita menjëherë të dielën ka ndeshje kampionale. Luan në udhëtim ndaj Malishevës. Më pas do ta zhvillojë edhe ndeshjen e mbetur me Prishtinën, me të cilin do ta mbyllë një vit sfidues, por shumë të suksesshëm. Më të suksesshmin në histori.