Futboll

Asllani kthehet me gol e asistim në Bundesligë

Fisnik Asllani

Fisnik Asllani e nisi sezonin e Bundesligës me Hoffenheimin me një gol e një asistim ndaj nënkampionit gjerman, Bayer Leverkusen. Të shtunën ai e shënoi golin dhe asistimin e parë në elitën gjermane. Sulmuesi i talentuar i Kosovës kishte debutuar më herët në Bundesligë me të njëjtën skuadër. Në vitin 2021 kishte luajtur ndaj Leipzigut. Më pas i pati 10-të paraqitje në Bundesligë, por nuk kishte minutazh të madh.  

Asllani është zhvilluar si futbollist te të rinjtë e BFC Dynamos dhe Union Berlinit. Te ekipi i dytë i Hoffenheimit ishte transferuar në vitin 2020, ndërsa dy vjet më pas nënshkroi kontratë profesionale me ekipin e parë. Si i huazuar për një sezon luajti tek Austria Vjena në Austri, e më pas edhe tek Elversbergu.

Ngritjen dhe shkëlqimin në karrierë, Asllani e pati në edicionin e kaluar në Bundesliga 2, tek Elversbergu.

Me 18 gola e nëntë asistime, ishte golashënuesi i tretë më i mirë në kategorinë e dytë. Një gol e një asistim i pati në dy ndeshjet e plejofit për promovim në Bundesligë ndaj Heidenheimit. Elversbergu nuk e arriti suksesin historik, inkuadrimin në elitën gjermane dhe mbeti në Bundesliga 2. Ndërkohë, Asllani pas përfundimit të sezonit, u kthye te skuadra e Hoffenheimit.

Asllani me Hoffenheimin ka kontratë deri në vitin 2029. Me formën e mirë që e pati në sezonin e kaluar, e nisi edicionin e ri.

Të shtunën, Hoffenheimi fitoi 2:1 në udhëtim te Bayer Leverkuseni.

Asllani, lojtari më i mirë i ndeshjes, realizoi për golin e barazimit në minutën e 25-të me gjuajtje të fuqishme nga zona. Ndërkohë, u kthye në asistues në golin për 2:1 në minutën e 52-të kur realizoi Tim Lemperle. 

Kështu, Hoffenheimi me sukses e përmbysi rezultatin pasi ishte në disavantazh prej minutës së gjashtë kur shënoi Jarrell Quansah. 

“Ajo që shfaqëm sot dhe si luftuam ishte jashtëzakonisht e mirë. U kthyem pas disavantazhit dhe fituam 2:1 ndaj Leverkusenit. Kjo është gjë e shkëlqyer. Dhamë çdo gjë që kishim, por në fund na u shpërblye. Secili prej nesh ka mundur që sot të ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, pasi të gjithë dhanë çdo gjë nga vetja. Të gjithë luftuan për njëri-tjetrin deri në fund. Dhamë më shumë se 100 për qind nga vetja. Mund ta keni parë edhe në fushë se si jemi gëzuar me njëri-tjetrin për secilën lëvizje të mirë”, ka deklaruar Asllani pas ndeshjes për faqen zyrtare të klubit. 

Për Asllanin foli edhe shënuesi i golit të fitores, Lemperle. 

“Jam shumë i lumtur që shënova gol dhe kontribuova, është gjithmonë e veçantë. Fisniku e mbrojti topin mirë dhe më dha mundësi të gjuaja”, tha ndër të tjera sulmuesi Lemperle.  

Asllani e kompletoi ndeshjen në sulm. Në mesfushë, në tërë ballafaqimin luajti edhe Leon Avdullahu. Avdullahu në verë iu bashkua Hoffenheimit nga Baseli zviceran. 

Loja e mirë e Asllanit është vlerësuar edhe nga mediumet gjermane. 23-vjeçari pati tri gjuajtje në kornizën e portës, krijoi dy shanse për gol dhe i kompletoi tetë pasime në drejtim të sulmit. 

Asllani tani vlerësohet i rëndësishëm edhe te Kosova. Ka luajtur për grupmoshën U17, ndërsa më pas pati paraqitje me U18 dhe U20 të Gjermanisë, për t’iu bashkuar sërish Kosovës. Qendërsulmuesi i gjatë 191 centimetra debutoi më 9 qershor nën drejtimin e selektorit Franco Foda. Deri tani i ka zhvilluar shtatë ndeshje dhe e ka një gol të shënuar.