Sulmuesi brazilian Endrick e di që e pret garë shumë e fortë për të impresionuar pasi t’i bashkohet Real Madridit për edicionin e ardhshëm, sidomos pas ardhjes së Kylian Mbappes.
Por tinejxheri nuk është i shqetësuar nga sfida që e pret. Ai firmosi me Real Madridin që në dhjetor të vitit 2022. Klubit mbretëror i kushtoi më shumë se 40 milionë euro, por tifozët u njoftuan se duhet të presin derisa Endrick t’i mbushë 18 vjet, në korrik të këtij viti, për ta parë nga afër. Ai vazhdoi të luajë për ekipin brazilian Palmeiras.
Endrick e di se çka duhet të bëjë që në nismë te Madridi.
“Nuk pres që të më njohin mirë. Unë jam ai që po arrij, duhet të prezantohem”.
Braziliani thotë se Real Madridi do të jetë favorit për Champions edhe në edicionin e ardhshëm.
“Sa më shumë që fiton në Madrid, aq më shumë kërkohet. Nuk ka pushim”, thekson 17-vjeçari. Ai aktualisht po ushtron me Brazilin për paraqitje në Copa America.
“Dallimi më i madh mes Amerikës së Jugut dhe Evropës është intensiteti i lojës. Por Palmeirasi është skuadra më evropiane në Brazil dhe kjo i ndihmon përshtatjes sime”, thotë sulmuesi i jashtëzakonshëm. Trajneri i vetëm profesionist i Endrickut deri më tani ishte portugezi Abel Ferreira.
I pyetur se ku e sheh veten në ekipin fitues të Madridit, Endirck ka thënë se është vendim i Carlo Ancelottit. Deri më tani braziliani ka luajtur më së shumti në qendër të sulmit.
“Me këtë skuadër nuk mendoj që të zgjedh asgjë. Ka vetëm lojtarë të nivelit botëror. Ia lë vendimin Ancelottit. Ai është, po ashtu, i nivelit botëror dhe do të gjejë një zgjidhje”, ka theksuar Endrick.
Njëjtë si Kylian Mbappe, Endrick e ka lojtar të pëlqyer Cristiano Ronaldon. Ai largohet nga Brazili si lojtar i dashur te Palmeirasi, për të cilën skuadër shënoi 21 gola në 81 ndeshje. Ndeshjen e fundit e zhvilloi më 30 maj, ndërsa tifozët thirrën emrin e tij dhe i dëshiruan sukses në Evropë.
Endrick shpreson ta impresionojë Ancelottin me paraqitje në Copa America. Ai mund të jetë startues te Brazili. Konkurrentin më të madh te Brazili mund ta ketë Rodrygon. Dy brazilianët mund të jenë konkurrentë edhe për vend në sulmin e Real Madridit. Por ka plot yje të tjerë te Real Madridi. Dhe ardhja e Kylian Mbappes bën që situata të jetë krejt ndryshe.
Ancelotti mund të ketë brenga të këndshme sa i takon përzgjedhjes së 11 më të mirëve. Por deri më tani vazhdimisht e ka bërë këtë me sukses. Dhe do të vazhdojë ta bëjë edhe me Mbappen e Endrickun në ekip.
“Dua të bëj histori me Brazilin dhe Real Madridin. Gjithnjë kam ëndërruar të luaj për Madridin”, ka theksuar Endrick.