Futboll

Sylvinho: Ndeshja me Serbinë është e veçantë

Sylvinho

Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, të hënën publikoi listën për ndeshjen e shumëpritur me Serbinë. Po të hënën, Sylvinho doli në konferencë për shtyp dhe foli gjatë për ndeshjen e 7 qershorit në “Arenën Kombëtare”, në Tiranë. 

Tekniku brazilian ka pranuar se ndeshja me Serbinë nuk është si gjithë të tjerat.

“E kuptoj që ndeshja me Serbinë është pak më e veçantë, por ne duhet të fokusohemi te loja jonë. Ne jemi skuadër që futemi me zemër në fushë. Janë ndeshje të vështira, por duhet të fokusohemi, ta bëjmë lojën më të mirë”, ka thënë Sylvinho.

Ai ka ftuar plot 27 lojtarë për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Kuqezinjtë më 10 qershor luajnë në udhëtim ndaj Letonisë, por është ndeshja me Serbinë që e ka gjithë vëmendjen. Vlerësohet ndeshje vendimtare për pozitën e dytë në grupin, ku Anglia është favoritja e madhe.

Pritet të jetë ndeshje emocionale dhe me ngarkesë të madhe, marrë për bazë raportet mes dy popujve. 

Sylvinho ka thënë se ka nevojë për të gjithë 27 lojtarët, ndërsa të dy ndeshjet i ka vlerësuar të vështira.

Më shumë, natyrisht, është ndalur te ndeshja me Serbinë.

“Janë kundërshtarë të fortë. Kanë lojtarë të gjatë. Do të harxhojmë shumë energji duke luajtur me ta, por ne kemi mundësitë tona. Ata (lojtarët e Serbisë) janë kundërshtarë të fortë, sepse e nisin lojën shumë mirë, por ne do ta bëjmë lojën tonë dhe do të mundohemi të marrim më të mirën. E thashë që është ndeshje speciale. Për mua janë të rëndësishëm 27 lojtarët që vijnë për të fituar. E di që luhet për vendin e dytë, por nuk ka kohë për të humbur. Fusha flet vetë. Kërkoj që lojtarët të japin zemrën dhe shpirtin në fushë për të marrë më të mirën”, ka theksuar selektori i kuqezinjve.

Sylvinho është pyetur edhe për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që i kërkoi selektorit të Serbisë Dragan Stojkoviq, që të fitojnë në Tiranë. Braziliani, po ashtu, është i vetëdijshëm për ndeshjen e kaluar të Shqipërisë në Beograd, ku lojtarët shqiptarë u sulmuan nga huliganët serbë. 
“E kam dëgjuar diku deklaratën, por e bukura e futbollit është që zgjat 90 minuta. Duhet të futemi në fushë dhe ta bëjmë më të mirën e mundshme. Unë jam i lumtur me lojtarët që kam zgjedhur dhe fusha do të flasë vetë. E kam parë atë  që ndodhi vite më parë dhe nuk shqetësohem, sepse ne i përgatisim lojtarët të luajnë 90 minuta”, ka thënë Sylvinho.

Ai ka përsëritur disa herë që është i kënaqur me lojtarët që ka përzgjedhur. Ka insistuar se janë më të mirët e mundshëm. 

Në fakt, ky edhe vlerësohet ekipi më i fortë i mundshëm i Shqipërisë në këtë moment.

Pas mungesës në ndeshjet e marsit, janë kthyer sulmuesi Mirlind Daku dhe lojtari i krahut të majtë, Mario Mitaj. Është kthyer edhe Elseid Hysaj që, po ashtu, mungoi në mars.

Sylvinho është i vetëdijshëm që ndeshjet e qershorit janë të vështira për lojtarët. Janë në fund të një edicioni shumë të ngarkuar.

“Është moment shumë i vështirë. Lojtarët e mbyllin sezonin dhe duhet të shohim si mbërrijnë. Ndonjë mbërrin shumë i lodhur, dikush më pak pasi ka luajtur më pak. Dikush e ka përfunduar më herët edicionin. Kemi 10 ditë për të bërë punë të mirë”, ka thënë Sylvinho.

Shqipëria tashmë i ka luajtur dy ndeshje në kualifikimet për Botërorin 2026. Më 21 mars pësoi 2:0 nga Anglia në “Wembley”. Më 24 mars fitoi 3:0 në Tiranë ndaj Andorrës. Për Serbinë, ndeshja me Shqipërinë do të jetë e para e këtyre kualifikimeve.

Ekipi kombëtar i Shqipërisë për ndeshjet me Serbinë dhe Letoninë

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha
Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku