Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Lista e Shqipërisë: ftohen për herë të parë Pllana e Pilo, kthehen Mehmeti e Muçi

Sylvinho

Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, ka shpallur të shtunën listën e lojtarëve për ndeshjet e plejofit kualifikues për Botëror.

Shqipëria të enjten në Varshavë luan me Poloninë në gjysmëfinale. Ndërkohë, më 31 mars luan, po në udhëtim, me Ukrainën apo me Suedinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Braziliani Sylvinho është bazuar në grupin e konfirmuar të lojtarëve, por ka edhe risi.

Për herë të parë është ftuar mbrojtësi kosovar, Bujar Pllana, që dy javë më parë e fitoi të drejtën të paraqitet me Shqipërinë. Ai ka luajtur për të rinjtë e Kosovës, ndërsa karrierë bënë në Poloni te Lechia Gdansk. Është 24-vjeçar.

Emër i ri është Stavro Pilo, i njohur në Greqi si Stavros Pilios. I lindur në Greqi, Pilo luan për AEK-un dhe po ashtu paraqitet në mbrojtje.

Ftesë mori edhe Nazmi Gripshi, ish-lojtari i Ballkanit, që nisi furishëm në Rusi te Rubin Kazani. 28-vjeçari Gripshi debutoi për kuqezinjtë në miqësoren ndaj Jordanisë, më 14 tetor të vitit të kaluar.

Është kthyer Anis Mehmeti, që po luan me sukses në kategorinë e dytë angleze. 25-vjeçari, që luan mesfushor ofensiv, për Shqipërinë i ka tri ndeshje. Të gjitha i zhvilloi në vitin 2023.

Pas formës së mirë në Superligën e Turqisë është kthyer edhe Ernest Muçi. Ai luajti së fundi në qershor të vitit të kaluar, kurse nuk u ftua në ndeshjet e vjeshtës.

Në listë është edhe Armando Broja, por jo Mirlind Daku, që ende është i lënduar. Mungon edhe Rey Manaj, heroi i fitores ndaj Serbisë, si edhe Medon Berisha.

Kuqezinjtë nisin me përgatitje të hënën, ndërsa të mërkurën udhëtojnë për në Varshavë.

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Dajsinani

Mbrojtës: Mario Mitaj, Stavro Pilo, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Bujar Pllana, Klisman Cake, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Elseid Hysaj, Ivan Balliu

Mesfushorë: Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Nazmi Gripshi, Arbër Hoxha, Anis Mehmeti, Jasir Asani

Sulmues: Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Nedim Bajrami, Armando Broja