Të dielën nis edicioni i ri i elitës së futbollit kosovar me katër ndeshje ndërsa një tjetër do të luhet të hënën. Kampionia Drita, që me mendje është edhe kah Evropa, e nis mbrojtjen e titullit në udhëtim te Ferizaj. Katër herë kampionia e Kosovës të enjten luan në plejofin e Ligës së Konferencës ndaj Differdanges, skuadrës që e eliminoi në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Drita do të mundohet të ketë nisje të mirë të kampanjës. Superligës në këtë edicion i janë bashkuar edhe Drenica dhe Prishtina e Re. Drita e fitoi titullin në edicionin e kaluar me 74 pikë, 12-të më shumë se Ballkani i vendit të dytë. Edhe Ballkani luajti në Evropë, por u ndal në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Shamrock Roversi. Tani Ballkani ka synim një tjetër titull kampioni, të katërtin në histori. Trajneri Orges Shehi e sheh garën e fortë për titull. Edhe suharekasit luajnë në udhëtim në duelin e parë ndaj Gjilanit. Kjo ndeshje luhet të hënën.
“Pas ndeshjeve të Evropës, na pret fillimi i kampionatit. Jemi të mërzitur nga ndeshja e fundit në Evropë, por duhet të shohim përpara dhe na pret ndeshje përballë një rivali direkt për titull siç është Gjilani, që për mendimin tim ka organikë të mirë për të qenë konkurrues në kampionat”, ka deklaruar të shtunën për KOHËN tekniku 47-vjeçar nga Durrësi.
Ai ka shtuar se të gjitha ekipet pjesëmarrëse në këtë sezon janë të forta dhe nuk duhet nënvlerësuar asnjëra prej tyre.
“Sezonin e parashikoj të luftuar dhe konkurrues, sepse në ligën tonë mund të fitosh me këdo dhe të humbësh ndaj kujtdo. Evropa na ka dhënë sinjale pozitive për skuadrën tonë që kemi, përveç ndeshjes së fundit që e humbëm prej gabimeve tona dhe për shtatë minuta çuam dëm çdo gjë”.
Të dielën luhen edhe ndeshjet Dukagjini – Prishtina, Drenica – Llapi dhe Malisheva – Prishtina e Re. Të gjitha ndeshjet nisin në orën 16:30.
Edhe për trajnerin e Dukagjinit, Ismet Munishin, gara do të jetë e fortë. Dukagjini e mbylli kampanjën e kaluar me 48 pikë në vendin e shtatë, aq sa kishte edhe Prishtina në pozitën e gjashtë, një pikë më shumë se Llapi i vendit të tetë. Llapi më pas e fitoi barazhin për mbetje në elitë ndaj Vushtrrisë.
Trajneri Munishi u shpreh se Dukagjini do të ketë formë më të mirë sesa në edicionin e kaluar.
“Jemi shumë më të organizuar se para një viti kur kam ardhur këtu. Edhe skuadra është shumë më e kompletuar sepse vitin e kaluar kemi harxhuar kohë duke e ndërtuar skuadrën. Sivjet çdo gjë e kemi bërë me kohë, e kemi kryer fazën përgatitore të gjithë së bashku. Në pozicione të caktuara kemi konkurrencë dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën që ka bërë ekipi në përgjithësi”, deklaroi Munishi.
50-vjeçari Munishi thotë se ka pasur kohë të mjaftueshme për ta kompletuar skuadrën, të cilën e vlerëson më cilësore se ai i sezonit të shkuar.
Synon që kampionatin ta nis me rezultat pozitiv ndaj Prishtinës.
“Jam shumë optimist se do të marrim rezultat pozitiv. Jemi përgatitur mjaftë mirë për këtë edicion. Kundërshtarin e njohim mirë dhe me punën që e kemi bërë deri këtu, jam tepër optimist”.
Prishtina ishte njëra prej katër skuadrave që mori pjesë në kualifikimet evropiane. Pjesëmarrëse ishte edhe Malisheva.
“Bardhekaltrit” u mposhtën në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës nga Sheriff Tiraspoli, e më pas u eliminuan në penallti nga Larne e Irlandës së Veriut në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Edhe Prishtina ka bërë ndryshime të shumta në ekip, njësoj si Dukagjini që ka mbetur pa sulmuesin më të mirë të ekipit, Hekuran Berishën, i cili në korrik të këtij viti iu bashkua Dinamo Cityt për 150 mijë euro sipas faqes “Transfermarkt”. Berisha 19-vjeçar, pati 13 gola e katër asistime në 37 paraqitje në të gjitha garat në sezonin e kaluar nën drejtimin e Munishit. Me golin e Berishës ndaj Hajdukut të Splitit, Dinamo City e siguroi plejofin e Ligës së Konferencës ku do të përballet me Jagiellonian polake. Berisha në Superligën e Kosovës debutoi si 18-vjeçar nën drejtimin e trajnerit Armend Dallku në sezonin 2023-24. I pati dy paraqitje nga 45 minuta. Por më shumë minutazhë pati me Munishin që synon t’u japë edhe më shumë hapësira të rinjve në këtë edicion.
“Çdo vjet shkojmë duke nxjerrë ndonjë lojtar, unë nuk e ndal dorën. U bënë disa vjet që punoj. Tani e kam edhe më të lehtë, sepse lojtarët e talentuar po kërkojnë të vijnë të stërviten me ne. Edhe në klubin tonë, në Dukagjin, ambienti është jashtëzakonisht i mirë për lojtarët e rinj, sepse nuk ka edhe aq shumë presion. Kemi lojtarë jashtëzakonisht të talentuar që me kohën do t’i marrë vesh edhe opinioni”, theksoi Munishi.
E diel (16:30)
Dukagjini – Prishtina
Malisheva – Prishtina e Re
Drenica – Llapi
Ferizaj – Drita
E hënë (16:30)
Gjilani – Ballkani