Futboll

Te Drita e vlerësojnë “obligim” suksesin në Champions

Atmosfera te skuadra e Dritës ishte shumë pozitive në stërvitjen e së dielës pasdite. Stërvitja e skuadrës gjilanase është zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndërkohë që të martën mbrëma ajo zhvendoset në Prishtinë. Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Drita luan ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange, në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja zhvillohet prej orës 20:00 dhe transmetohet direkt në KTV.

Në short, Drita ishte bartëse. Rrjedhimisht vlerësohet favorite përballë kampionit të Luksemburgut.

Por kjo nuk është garancë për sukses. Trajneri Zekirija Ramadani e di këtë më së miri.

Të martën edhe fillon edicioni 2025/2026 në kupa evropiane në futboll. Dhe kampionia e Kosovës, Drita, është njëra prej skuadrave që fillojnë me ndeshje.

Trajneri Ramadani ka bërë thirrje për kujdes ndaj skuadrës luksemburgase. Kualifikimin, Ramadani e ka vlerësuar “obligim”.

“Fati ynë ka qenë që ishim në grupin e skuadrave favorite dhe na kë rënë kjo skuadër. Duke e thënë këtë, nuk dua të them se kjo skuadër është më e dobët, mirëpo nëse do të kishim qenë në grupin e skuadrave jofavorite, do të kishim pasur një kundërshtar shumë të fortë. Kundërshtari duhet të respektohet deri sa të fillojë ndeshja. Është një ekip me shumë eksperiencë. Kemi pasur mundësinë që t’i shohim dy ndeshje dhe shpresoj që kemi mundur t’i gjejmë pikat e dobëta dhe pikat e forta të kundërshtarit. Kemi bërë përgatitje aq sa mundemi dhe aq sa dimë. Me një optimizëm, me besim, kualitet dhe me punën që kemi bërë deri më tani, duhet të jemi optimistë sepse e kemi një detyrim moral dhe obligim profesional për të kaluar në raundin e dytë”, ka thënë Ramadani për KOHËN.

Skuadra e tij pritet ta ketë iniciativën në fushë. Por sfidë mbetet thyerja e mbrojtës së skuadrës luksemburgase.

Drita ka bërë disa përforcime, por më e rëndësishmja vlerësohet se ka ruajtur bazën e ekipit që fitoi titullin e kampionit.

“Patjetër se do të jetë e vështirë që të eliminojmë kundërshtarin për shkak se kemi parë ndeshjet kontrolluese që i ka zhvilluar. Është një skuadër me mjaft disiplinë taktike, ku mbyllet prapa sidomos kur luan si mysafire. Mbyllet prapa dhe me pesë lojtarë luan në mbrojtje, katër mesfushorë dhe me një sulmues. Do të jetë vështirë të depërtohet. Duhet të kemi durim sepse nuk jemi skuadër që kemi vetëm një variant të sulmit, kemi shumë variante, duhet t’i përdorim të gjitha ato aksione që i kemi punuar për të arritur deri te goli. Ndoshta me hapjen e rezultatit në një kohë më të hershme të ndeshjes do ta kemi më lehtë, pastaj të kemi edhe hapësira”, ka shtuar Ramadani.

Kampioni nga Luksemburgu ka ndërruar trajnerin pas fundit të edicionit dhe kjo e ka ndërlikuar përgatitjen e gjilanasve për ndeshjen e parë.

“Na ka vështirësuar punë edhe ndërrimi i trajnerëve tek ekipi kundërshtar, pasi janë shpallur kampionë. Është ndërruar trajneri, një filozofi tjetër nga ajo që kemi pasur mundësinë ta shohim në ndeshjet e kampionatit të kaluar. Tani është një trajner tjetër por arritëm që t'i shohim dy ndeshje. Na kanë ndihmuar shumë ato dy ndeshje kontrolluese që kemi arritur t'i shohim. Shpresoj që me punë , me angazhim dhe normal duhet të dimë që janë dy ndeshje, nuk është vetëm një. Ndeshja e  parë është në Prishtinë duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos i lënë hapësirë kundërshtarit kurse t'i dënojmë në çdo hapësirë që na ofrohet”, ka theksuar trajneri shkupjan.

Drita do të jetë pa kapitenin Rron Broja, që nuk luan të martën për shkak të një kartoni të kuq në edicionin e kaluar të garave evropiane. Broja megjithatë, është pjesë e rregullt e stërvitjeve të Dritës, ndërsa do të jetë përkrahje e madhe nga anash për Dritën.

Broja shquhet për punën e madhe në mesin e fushës, ndërsa do ta jap kontributin e tij në ndeshjen e kthimit në Luksemburg.

“Të martën do të jetë ndeshja jonë e parë për kualifikime kundër skuadrës së Luksemburgut. Besoj se jemi përgatitur mjaft mirë për këto dy ndeshje që na presin. Të martën do të jetë një ndeshje e vështirë. Jemi duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe besoj se me shumë punë dhe mund do të arrijmë një rezultat pozitiv që të udhëtojmë për në Luksemburg më të relaksuar”, ka thënë Broja.

Lojtari tjetër me përvojë i Dritës, Besnik Krasniqi, është i kënaqur me përgatitjet e bëra deri më tani. Drita për shumë ditë ishte në Bankso të Bullgarisë.

“Stërvitjet në Bansko kanë shkuar mjaft mirë. Kemi qëndruar 12 ditë. Ka qenë një fazë e vështirë sepse është ajo faza që do shumë vrapime dhe e kemi bërë maksimumin. Kemi edhe ardhjet e reja në ekip, i kemi pritur mjaftë mirë. Janë ambientuar mirë me ekipin. E kemi ruajtur atë boshtin e ekipit, sepse ka shumë rëndësi që të mos largohen shumë futbollistë nga skuadra. Jemi të përgatitur dhe do të japim gjithçka për këtë ndeshje dhe shpresoj shumë që të martën të shpërblehet kjo”, ka thënë Krasniqi.

Pos Dritës në gara evropiane do të paraqiten edhe Prishtina, Ballkani dhe Malisheva. Por është skuadra kampione që e ka barrën e fillimit të mbarë.