Dalja e Besnik Krasniqit nga fusha me fashë në kokë, tregon për luftën që ai dhe lojtarët e tjerë të Dritës kanë bërë të enjten mbrëma gjatë 90 minutave të ndeshjes së parë të plejofit të Ligës së Konferencës kundër Differdanget.
Luftë sportive premtojnë edhe pas një jave, kur këto dy skuadra do ta zhvillojnë ndeshjen vendimtare për kalim në fazën e ligës të Ligës së Konferencës.
Kualifikimi në fazën e garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia, do të ishte historike për Dritën.
Do të bëhej skuadra e dytë e Kosovës që siguron paraqitjen në Ligën e Konferencës pas Ballkanit.
Skuadra nga Suhareka siguroi dy herë paraqitjen në Ligën e Konferencës.
Këtë synim e kanë edhe te Drita – kualifikimin në Ligën e Konferencës.
Por mbrojtësi Besnik Krasniqi insiston se ende nuk ka kohë për festë. Ai thekson se festa mund të filloj vetëm pas rezultatit pozitiv edhe në Luksemburg.
“Jam mirë dhe do të jem gati edhe për ndeshjen kthyese. Kam kryer një kontroll dhe e rëndësishme është që nuk kam nevojë për qepje. Do ta jap maksimumin për Dritën, ashtu siç kam bërë në të gjitha ndeshjet”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ishte prej lojtarëve më luftarak në fushë të enjten mbrëma. Ai udhëhoqi Dritën si kapiten në mungesë të Rron Brojës së suspenduar.
Broja nuk do të paraqitet as në ndeshjen kthyese për shkak të kartonit të kuq të cilin e mori në ndeshjen kthyese në Prishtinë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës kundër kampionit të Rumanisë, FCSB.
Krasniqi si kapiten pret ta ndihmojë ekipin edhe në ndeshjen kthyese. Krasniqi shënoi golin e fitores për Dritën. Ai realizoi nga penalltia në minutën e 80-të për rezultatin 2:1.
“Jam shumë i kënaqur me këtë fitore, sepse në një mënyrë ishim në presion, por jam i lumtur që fituam. Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne, por nuk ka përfunduar ende asgjë. Kemi edhe ndeshjen e dytë, që do të jetë ndeshje e vështirë. Por ne do të punojmë gjatë kësaj periudhe maksimalisht për të arritur rezultat pozitiv. Kemi bërë një hap të mirë, por nuk ka përfunduar ende asgjë. Do të mundohemi maksimalisht për të arritur kualifikim historik. Të gjithë në klub e dimë rëndësinë e kualifikimit dhe do të mundohemi ta bëjmë punën tonë”, është shprehur Krasniqi.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, pas ndeshjes pranoi se te lojtarët e tij është parë lodhje. Por ai ka përgëzuar lojtarët për angazhimin. Pret angazhim edhe në ndeshjen kthyese nga lojtarët e tij.
E angazhimi nuk do të mungojë, thotë mbrojtësi Krasniqi.
“Do të gjejmë forcë për t’i zhvilluar edhe 90 minuta tjerë në Luksemburg për të shënuar fitore historike. E rëndësishme është që fituam ndeshjen e parë. Në media është shkruar se ne jemi favorit, por në fushë nuk ka favorit. Do të fokusohemi për ndeshjen e dytë dhe do të japim gjithçka nga vetja për të arritur kualifikim historik. Me një rezultat pozitiv, ne do të siguronim paraqitjen në fazën e Ligës të Ligës së Konferencës. Do të jemi të vëmendshëm për ndeshjen e dytë. Do të përgatitemi për ndeshjen e kthimit, ashtu siç na thotë trajneri dhe në Luksemburg do të udhëtojmë me synimin për të arritur kualifikimin historik”, është shprehur Krasniqi.
Nëse Drita arrin në Ligën e Konferencës, klubi gjilanas do të fitojë 3 milionë e 170 mijë euro. Kjo është shuma e garantuar që Drita do ta ketë nëse kualifikohet në Ligën e Konferencës.
Në fazën e ligës, Drita do të luante gjashtë ndeshje, me gjashtë kundërshtarë të ndryshëm ku secila fitore do të vlente 400 mijë euro, ndërsa një barazim do të vlente 133 mijë euro.
Drita ndali serinë negative të rezultateve të enjten. Para ndeshjes kundër Differdanget, Drita kishte seri prej pesë humbjeve rresht, përfshirë edhe disfatën në kuadër të xhiros së parë të Superligës së Kosovës në futboll. Humbi të dielën nga Ferizaj, ndërsa ka pësuar nga dy herë edhe prej kampionit të Rumanisë, FCSB dhe kampionit të Danimarkës, Copenhagen.
Drita e kishte mposhtur Differdangen në dy ndeshjet e para kualifikuese të rrethit të parë kualifikues të Championsit.
Ndeshjen e parë e kishte fituar 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me golin e Arb Manajt.
Manaj dhe Veton Tusha kishin shënuar edhe në ndeshjen në udhëtim, në fitoren 3:2.
Më pas Drita rreshtoi pesë humbje, përfshirë disfatën nga Ferizaj të dielën.
Pasi e eliminoi Differdangen në rrethin e parë kualifikues të Championsit, Drita e vazhdoi rrugëtimin në rrethin e dytë kualifikues dhe përballë e pati Copenhagenin. Copenhageni, skuadra më e suksesshme e futbollit danez, fitoi me rezultatin e përgjithshëm 3:0 dhe avancoi tutje. Ndërkohë, Drita u bart në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Nga FCSB-ja rumune u mposht me rezultatin e përgjithshëm 6:3. Me rezultatin 3:2 u mposht në Bukuresht, ndonëse ishte në epërsi prej 2:0 për kohë të gjatë. Në kryeqytet humbi 3:1.
Drita është e vetmja skuadër e Kosovës që ka mbetur në garë për avancim në fazën e ligës, në Ligën e Konferencës.