Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Komoreve luhet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Nis në orën 19:00.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka lënë të kuptohet se është momenti për të treguar një paraqitje më bindëse.
Përballja me Komoret shihet si mundësia ideale për të forcuar vetëbesimin para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
“Prej kur jam angazhuar selektor i Kosovës kemi pasur parime të qarta të lojës. Kemi ide të qarta si t’i zbatojmë ato parime në fushë dhe ne do t’i zbatojmë edhe nesër ato kundër Komoreve. Nga fillimi i lojës do të tentojmë t’i bëjmë presion kundërshtarit. Ta fitojmë topin dhe të luajmë lojë ofensive”, ka thënë Foda të dielën në konferencë për media.
Ai është ndarë i kënaqur për paraqitjen e Florian Haxhajt dhe Baton Zabërgjës në ndeshjen ndaj Armenisë. Për Haxhajn ka thënë se me lëvizjet e tij në fushë e bën skuadrën shumë më të rrezikshme”.
Tekniku gjerman kërkon që kundër Komoreve lojtarët e tij duhet të jenë më stabilë si në ofensivë ashtu edhe defensivë.
“Së bashku me skuadrën e kemi analizuar mirë kundërshtarin e radhës. E kemi parë që luajnë me formacionin 4-3-3, e kanë një trajner italian, kanë një skuadër mirë të organizuar dhe shumica e lojtarëve të tyre luajnë në Francë. E dimë që janë mirë të ndërtuar, luajnë në pozita të mira. Në posedim të topit janë mjaft aktivë, sulmojnë shumë dhe në përgjithësi mendoj që nuk do të jetë një ndeshje jo e lehtë. Mirëpo unë mendoj që në ndeshjen e radhës duhet të jemi më stabilë në defensivë. Mundësitë që i kemi pasur kundër Armenisë është dashur që t’i shfrytëzonim dhe këtë pres ta zbatojmë në lojën e radhës ndaj Komoreve. Të gjitha mundësitë duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht”, është shprehur Foda.
Miqësorja ndaj Komoreve është e fundit për Kosovën para sfidave të vështira në shtator. Kosovës në ndeshjet e këtij muaji i munguan shumë lojtarë të ekipit bazë. Por, në shtator “Dardanët” pritet të jenë të kompletuar.
“Kemi shënuar gola dhe kemi pasur 38 goditje në portë. Nuk janë pak, janë diçka e rrallë. Këto mundësi duhet t’i shfrytëzojmë. Në ndeshjet e ardhshme në muajin shtator do të kemi kundërshtarë më të fortë dhe nuk do t’i kemi këto mundësi. Mirëpo, duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht në mënyrën më të ftohtë të mundshme të gjitha mundësitë që na ofrohen”, thotë Foda.
Ai pranon forcën e kundërshtarëve të parë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Kosova hap kampanjën kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm kundër Zvicrës në Basel. Ndeshjen ndaj Zvicrës e luan më 5 shtator, kurse pas tri ditësh e pret Suedinë në Prishtinë. Foda thotë së ëndrra për t’u kualifikuar në Botëror është reale. Në grup me Kosovën, Zvicrën e Suedinë, është edhe Sllovenia.
“Tani na ka mbetur edhe një ndeshje miqësore. Secili trajner ka qëllimet më të larta të mundshme. Kemi ëndrra të cilat duhet t’i realizojmë. Jemi të vetëdijshëm që e kemi grupin e vështirë. Mirëpo, me gjithë lojtarët dhe të gjithë bashkëpunëtorët do të mundohemi maksimalisht që t’i arrijmë këto qëllime, të cilat i synojmë dhe sigurisht që e kemi ëndërr që Kosovën ta kualifikojmë në ngjarje më të mëdha”.
Sulmuesi Albion Rrahmani premton gola ndaj Komoreve. Ai shënoi dy gola ndaj Armenisë. Pritet të jetë titullar ndaj Komoreve.
“Jam shumë krenar që kam arritur të shënoj gola, por po shpresoj që nuk do të ndalem me kaq dhe ta ndihmoj kombëtaren tonë maksimalisht. Patjetër që unë vij këtu për të luajtur edhe do ta jap gjithmonë 100-përqindëshin sa herë që do të më vijë mundësia. Do të mundohem ta tregoj vetën në mënyrën më të mirë të mundshme që ta bind trajnerin, por edhe t’i gëzojmë gjithë këta tifozë që e meritojnë”, ka thënë Rrahmani.
Kosova është në seri prej katër fitoresh rresht. Ndaj Komoreve synon fitoren e pestë.