Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Te Llapi nuk brengosen, synojnë Kupën

llapi

Tetë ndeshje rresht pa fitore. Ky është bilanci aktual i Llapit në Superligën e Kosovës në futboll.

Llapi po kalon një periudhë të vështirë rezultatesh dhe ka humbur pikë të rëndësishme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fitorja e fundit e skuadrës llapjane në kampionat ishte ndaj Ballkanit më 23 nëntor të vitit të kaluar. Pasuan disfatat ndaj Dukagjinit, Gjilanit, Ferizajt, Prishtinës, Dritës. Llapi pati edhe barazime me Malishevën, Drenicën. Të shtunën barazoi me Prishtinën e Re duke e çuar në tetë numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore në kampionatin elitar të Kosovës.

Por pavarësisht ecurisë pa fitore, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, beson se skuadra e tij është brenda objektivave.

Batatina të shtunën tha për KOHËN se Llapi në fund do t’i arrijë synimet që ka.

“Besoj që Llapi është brenda objektivave. Me rëndësi është që ne jemi brenda objektivave si klub pasi jemi në garë për Kupë, ka ende ndeshje shumë për të luajtur. Është vetëm ndeshja e tretë e edicionit pranveror ka ndeshje ende që prapë të jemi lart. Skuadra është paraqitur mirë, pavarësisht se kemi mundur që ta fitojmë të gjithë ndeshjen por mendoj që nuk ishin kushtet optimale për ta zhvilluar ndeshjen e futbollit pasi terreni jo i mirë, një terren jo me standarde që duhet të ketë Superliga. Për ne është me rëndësi që jemi brenda objektivave dhe besoj që në fund do t’i arrijmë objektivat që i kemi”, u shpreh Batatina.

Llapi ka mbetur shumë prapa kreut të tabelës. E zë vendin e shtatë me 23 pikë.

23 pikë i ka edhe Ferizaj në pozitën e tetë. Pozita e tetë në fund dërgon në barazh.

Prishtina e Re e zë vendin e nëntë me 22 pikë. Drenica ka një pikë më pak në pozitën e fundit, por e ka edhe një ndeshje më pak të luajtur. Skuadrat që mbesin në dy pozitat e fundit bien nga liga. Llapi edicionin e kaluar përfundoi në barazh, nga pozita e tetë.

I pyetur nëse ekziston rreziku që Llapi të përfundojë sërish në barazh apo edhe të bjerë nga liga, Batatina u shpreh se kjo as nuk diskutohet dhe as nuk merret në konsideratë.

“Nuk mendohet dhe as nuk bisedohet asnjëherë te Llapi ajo pjesë. Vetëm bisedohet për t’i arritur synimet për të dalë në Evropë. Me zhvillu ndeshje ndërkombëtare dhe me u paraqit sa më mirë dhe fare nuk mendohet ajo pjesë asnjëherë duke ditur që organizimi i klubit e bën të veten që skuadra shumë shpejt xhirot e ardhshme synon të marrë maksimumin e pikëve dhe të ngrihet lart në tabelë”, theksoi tekniku i skuadrës llapjane.

Megjithatë synimi kryesor i Llapit këtë edicion mbetet Kupa e Kosovës.

Llapi është në çerekfinale të Kupës ku do të përballet me Malishevën. Llapi në 1/8 e finales e eliminoi kampionen në fuqi të Kosovës, Dritën.

“Projekti kryesor i Llapit këtë edicion është të japim maksimumin në Kupë të shkojmë deri në finale. Qëllimi im si trajner është që të shkojmë në finale pastaj finalja është finale. Besoj që kemi potencial për ta arritur finalen, çdo ndeshje është e vështirë kemi një skuadër shumë të fortë para nesh në çerekfinale si Malisheva. Ne duhet ta japim maksimumin, ta kryejmë detyrën si skuadër dhe të jemi në finale. Finalja mund të humbet por mund edhe të fitohet por me rëndësi është që Llapi deri në fund nuk dorëzohet dhe lufton për kreun e tabelës si dhe në Kupë”, deklaroi Batatina, që me Llapin e fitoi Kupën e Kosovës dy herë rresht në edicionet 2020/21 dhe 2021/22.

Llapi në edicionin e kaluar u mposht në finale nga Prishtina.