Shqipëria e Serbia janë në vlugun e përgatitjeve për ndeshjen e së shtunës në Leskovc, që pritet të jetë vendimtare për vendin e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës 2026 në futboll.
Te Serbia janë disa debutues. Për herë të parë është ftuar mbrojtësi 18-vjeçar i Bournemouthit, Velko Milosavleviq.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Serbisë, Milosavleviq e ka vlerësuar Kombëtaren e Shqipërisë.
Në Tiranë, në qershor, ndeshja mes Shqipërisë e Serbisë nuk dha gola.
“E kam parë atë ndeshje. Shqipëria ka ekip vërtet të mirë, por mendoj se kemi lojtarë më të mirë dhe jemi më kualitativë. Besoj se këtë do ta dëshmojmë në terren. Mendoj se duhet të shikojmë vetëm veten dhe mënyrën se si do të luajmë”, ka thënë Milosavleviq.
Ai më 1 shtator u transferua te skuadra e Premier Leagues nga Cërvena Zvezda.
Debutues tjetër te Serbia është sulmuesi i Union Berlinit, 25-vjeçari Andrej Iliq. Ai pret ndeshje të vështirë me kuqezinjtë.
“Rast serioz. Ndeshja e parë në Tiranë ishte e fortë dhe kjo tani mund të jetë e njëjtë. Në një mënyrë derbi lokal. Këto janë ndeshje plot energji, ku duhet të futesh fort, por me vetëbesim dhe zgjedhje për fitore. Luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë dhe rëndësia është e madhe. Për mua është krenari që jam në reprezentacion, që mund të mësoj nga Mitroviqi, Vlahoviqi, Joviqi dhe të gjithë këta djem të shkëlqyer”, ka thënë Iliq.
Serbia në ndeshjen e kaluar është rrahur 5:0 nga Anglia në Beograd. Po më 9 shtator, Shqipëria fitoi 1:0 ndaj Letonisë dhe doli në vendin e dytë në grup.
Anglia po marshon drejt vendit të parë në grup. I ka fituar pesë ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 15 pikë. Shqipëria është e dyta me tetë pikë nga pesë ndeshje. Serbia i ka shtatë pikë, por nga katër ndeshje. Pason Letonia me katër pikë dhe Andorra pa pikë.
Përfaqësuesja e vendit të parë kualifikohet në Botëror, ndërsa përfaqësuesja e vendit të dytë luan në plejof.
Serbia përballet me mungesa të rëndësishme, ndërsa atmosfera pas humbjes 5:0 nga Anglia nuk vlerësohet më e mira. Shpresohet se kjo do të shfrytëzohet nga Shqipëria që me fitore eventuale do të bënte hap gjigant drejt vendit të dytë.