Futboll

Te Shqipëria e vlerësojnë të zakonshme ndeshjen me Serbinë

Shqipëria

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll i ka nisur të hënën përgatitjet për ndeshjen e rëndësishme ndaj Serbisë. Për herë të parë kanë folur edhe lojtarët e Shqipërisë, për ndeshjen e cila luhet të shtunën në Arenën Kombëtare në Tiranë.

Te Shqipëria thonë se ndeshjen ndaj Serbisë duhet ta shohin “vetëm si një ndeshje futbolli”.

Mbrojtësi Elseid Hysaj dhe mesfushori Qazim Laçi kërkojnë maturi nga përkrahësit e kombëtares kuqezi.

Hysaj është futbollisti i vetëm nga ekipi aktual i Shqipërisë, që luajti ndeshjen në Beograd, më 14 tetor 2014 dhe në Elbasan, më 8 tetor 2015. Në Elbasan kishte luajtur edhe Berat Gjimshiti, kurse Arlind Ajeti ishte në bankën e rezervistëve.

Tani treshja Hysaj, Gjimshiti e Ajeti mund të jenë titullarë në ndeshjen në Tiranë.

Mbrojtësi me përvojë, Hysaj, ka ftuar për qetësi në ndeshjen ndaj Serbisë.

“Kjo është ndeshje e rëndësishme, sepse janë ndër kundërshtarët më direkt me ekipin tonë. Për marrëdhëniet në vendet tona nuk duhet të hyjmë ne futbollistët, ka kush merret me këtë punë. Ne duhet ta luajmë ndeshjen tonë, të jemi të përqendruar, të qetë. E dimë që është kundërshtarja jonë direkte, dhe të mos mendojmë për probleme”, ka thënë Hysaj.

Mbrojtësi i krahut të djathtë pret fitore ndaj Serbisë.

“Të gjithë futbollistët janë të përqendruar dhe e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje, si për ne, por edhe jashtë futbollit. Ka shumë tifozë, që e presin me padurim. Sigurisht që kam folur me disa lojtarë, si për lidhjet tona të mëparshme, ashtu edhe për ndeshjet që i kemi luajtur së bashku. Të gjithë e njohin historinë e Shqipërisë. U kam thënë vetëm të jemi të qetë dhe të japim më të mirën në fushë”, është shprehur Hysaj.

Mbrojtësi i Lazios pret maksimumin nga lojtarët, për të dalë triumfues nga fusha e Arenës Kombëtare.

“Po, mund të ketë presion, por mendoj që është presion pozitiv, që të shtyn të zbresësh në fushë me forcë dhe guxim. Është një ndeshje e veçantë, por mbi të gjitha është një ndeshje futbolli. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë. Duhet të futemi në fushë të qetë dhe të japim maksimumin për të fituar dhe për të marrë tri pikë”.

Ai ka folur edhe për incidentin në Beograd. Insiston se pamje të tilla nuk duhet të përsëriten në arenat e futbollit.

Ndeshja në Beograd, më 14 tetor 2014, ishte ndërprerë pasi huliganët dhe lojtarët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Ajo ndeshje në fund ishte regjistruar me rezultatin 3:0 në të mirë të Shqipërisë.

Më 8 tetor 2015 në Elbasan, Serbia fitoi 2:0 nën masa të rrepta sigurie. Por, gjithçka shkoi mirë dhe gjasat janë që e njëjta të ndodhë në qershor. Testi i madh mund të vijë në ndeshjen kthyese.

“Të gjithë e panë atë ndeshje. Nuk ishte një imazh i mirë për futbollin dhe nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi atëherë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Luajmë për shtetin, për tifozët, për kombin. Nëse fitojmë, do të jetë një krenari e madhe për të gjithë ne. Duhet të jemi të qetë dhe ta kuptojmë se jemi futbollistë. Jemi këtu për t’i kënaqur tifozët dhe për të dhënë gjithçka për fitoren”, ka thënë Hysaj.

Anglia është e para në grupin kualifikues për Botëror me gjashtë pikë, ndërsa nga tri pikë i kanë Shqipëria dhe Letonia. Serbia nuk ka luajtur asnjë ndeshje kualifikuese. Të parën e ka ndaj Shqipërisë. Kuqezinjtë i kanë dy tashmë.

Edhe mesfushori Qazim Laçi ka folur për rëndësinë që e ka ndeshja kundër Serbisë.

“Kemi një shans të madh, sepse luajmë në shtëpinë tonë. Kjo do të jetë forca jonë, besoj. Nga minuta e parë duhet të futemi me mendimin për ta fituar ndeshjen, emocionet t’i lëmë jashtë. Duhet të punojmë në stërvitje, disa gjëra që kemi biseduar me trajnerin, shpresoj të dalin edhe në fushë”, ka thënë Laçi.

Ai pret atmosferë të zjarrtë, të shtunën, në stadiumin e bukur në Tiranë.

“Është gjë e mirë që kemi ndeshje në shtëpinë tonë. Do të kemi mbështetjen e tifozëve, do të mundohemi të japim maksimumin për trepikëshin, që do të jetë i rëndësishëm edhe për kualifikimin në Botëror”, ka theksuar Laçi.

Interesimi për ndeshjen ndaj Serbisë është i madh nga shikuesit. Por, dëshira për ta fituar ndeshjen kundër serbeve është edhe më e madhe.