(KD) – Futbollistët e Shqipërisë, Qazim Laçi dhe Juljan Sheku, kanë folur për rëndësinë që ka ndeshja kundër Serbisë. Dy futbollistët kanë theksuar se Shqipëria në Leskovc do të udhëtojë për t’i fituar pikët e plota.
Ndeshja Serbi – Shqipëri zhvillohet të shtunën në Leskovc nga ora 20:45. I takon grupit K kualifikues për Kupën e Botës 2026. Me fitore, Shqipëria do ta mbante gjallë ëndrrën për të siguruar vendin e dytë. Pozita e dyta siguron plejofin për Botërorin e vitit të ardhshëm.
Mesfushori i Laçi, tha se Shqipëria është gati dhe e motivuar për të dhënë maksimumin në përballjen kundër Serbisë.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është ndeshje vendimtare. Ne jemi profesionistë. Jemi mësuar me presionin, secili te ekipi i vet. Objektivi është të marrim 3 pikët, për ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror. Kështu duhet ta përgatisim, pra të marrim fitoren”, ka thënë Laçi.
Ai ka thënë se e kanë detyrim ta japin maksimumin për fanellën kuqezi.
“Kur je me Kombëtaren duhet të japësh më shumë, pasi e ke detyrim sepse përfaqëson kombin. Kam dhënë maksimumin me Shqipërinë për të marrë fitore dhe kështu do të vazhdojë. Shpresoj për një fitore në Serbi”, ka theksuar ai.
Laçi ka thënë se ndaj Serbisë lojtarët do të tregohen profesionistë ndaj Serbisë.
“Jam dakord me ju, do të ketë shumë emocione kjo ndeshje. Si profesionistë duhet të jemi të qetë, të kemi përqendrim dhe të shikojmë çdo detaj. Pikërisht kjo pikë do të bëjë diferencën. Aty do të fokusohemi për të marrë tre pikët”, është shprehur futbollisti i Rizesporit turk.
Ai ka shtuar se detajet do të vendosin sfidën në Leskovc.
“Nga ana jonë, ndeshjet i shkojmë me kë kundërshtar luajmë. Kundërshtari që kemi përballë është i fortë. Në takimin e parë në “Air Albania” treguam se presionin e evituam. Treguam se kishim mundësi ta fitonim, pavarësisht se doli barazim. Nga ana jonë, duhet të jemi të përqendruar. Detajet do të bëjnë diferencën. Të dyja ekipet do të jenë të mbyllura, si ndeshja e parë. Por ne e kemi në dorën tonë. Do të futemi që në minutën e parë për të marrë tre pikët”, thotë Laçi.
Ai insiston se ballafaqimi ndaj Serbisë do të jetë i vështirë. Por pret të kthehen nga udhëtimi i vështirë me fitore.
Fitore pret edhe mesfushori i skuadrës polake, Widzew Lodz.
“Ne jemi futbollistë profesionistë. Për ne, presioni është gjë normale. Është një ndeshje pa dyshim e rëndësishme për ne, por ne do të shkojmë aty për të marrë maksimumin e mundshëm”, ka thënë Shehu.
Shehu për Shqipërinë i ka katër ndeshje të zhvilluara, ndërsa thotë se është gati ta japë më të mirën edhe ndaj Serbisë.
“Kjo është ndeshje e rëndësisë shumë të madhe për ne, për vetë faktin se nga kjo ndeshje besoj se vendoset edhe vazhdimësia e objektivit që kemi për të shkuar në Botëror. Është ndeshje vendimtare për objektivin që ne kemi, prandaj jemi shumë të përqendruar që të marrim maksimumin dhe të vazhdojmë ëndrrën që kemi për të shkuar në Botëror”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se konkurrenca për një vend te Shqipëria është e madhe. Ai ka zënë vend në mesfushën e Shqipërisë.
“Në Kombëtare jemi të gjithë për të bërë më të mirën, pavarësisht se kush e nis si titullar. Këto janë çështje që i vendos trajneri. Ne jemi këtu për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin për Kombëtaren. Me Ylber Ramadanin jemi shokë, kemi marrëdhënie shumë të mirë dhe e mbështesim njëri-tjetrin, pavarësisht se kush luan”, ka thënë Shehu.
Ai premton më të mirën për Shqipërinë.
Tre ditë pas ndeshjes me Serbinë, Shqipëria luan miqësore me Përfaqësuesen e Jordanisë në Tiranë.