Futboll

Te Sllovenia vlerësojnë gjasat e Kosovës për kualifikim në Botëror

Matjazh Kek

Sllovenia është përfaqësuesja e Grupit B të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, me të cilën Kosova nuk përballet gjatë shtatorit. Por sllovenët e kanë përmendur edhe Kosovën si kandidate për kualifikim në Botërorin që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë e Kanada.

Në Grupin B janë edhe Zvicra e Suedia, ndërsa përzgjedhësi slloven, Matjazh Kek, ka theksuar se të gjitha përfaqësueset kanë gjasa për kualifikim në Botëror.

Sllovenia më 5 shtator luan në Lubjanë ndaj Suedisë, ndërsa më 8 shtator përballet në Basel me Zvicrën.

Ndeshja Kosova – Sllovenia është më 10 tetor në “Fadil Vokrri”, ndërsa në Lubjanë dy përfaqësueset përballen më 15 nëntor.

“Nuk shoh asnjë ekip në grup që nuk mendon për kualifikim. Por nuk është asnjë përfaqësuese që tashmë ka siguruar kualifikimin në Botëror. Shumë do të varet nga Sllovenia, por përfaqësuesja duhet të jetë e vërteta. Vetëm kështu mund të mendosh për Kupën e Botës”, ka thënë Kek. “Pas një Evropiani të mirë vitin e kaluar, nuk mund të thuash që synimi është të jemi në vendin e tretë apo të katërt, ndonëse edhe kjo mund të ndodhë në këtë grup”.

Zvicra është favorite e grupit. Është e 19-ta në ranglistën e FIFA-s. Suedia është e 29-ta, Sllovenia e 50-ta dhe Kosova e 95-ta. Fituesi i grupit kualifikohet direkt në Botëror, ndërsa i dyti luan në plejof.

“Kosova është në rritje”, ka pranuar Kek. “Suedia ka emra të mëdhenj, sidomos në sulm, dhe Zvicra, që është gjithnjë e pranishme, ka mënyrën e saj të lojës dhe gjithnjë befason për të mirë. Më pëlqen kur nuk na marrin seriozisht, kur jemi autsajderë. Kështu jemi më të rrezikshëm. Është grup që ta jep mundësinë për të bërë diçka, nëse shfaq më të mirën dhe lojtarët japin çdo gjë. Dhe këtë e kanë bërë së fundi”, ka vazhduar selektori slloven.

Kosova e Sllovenia janë përballur dy herë deri më tani. Në vitin 2020, të dyja ndeshjet i fitoi Sllovenia.
Kosova fillon kualifikimet ndaj Zvicrës më 5 shtator në Basel. Më 8 shtator është ndeshja Kosova – Suedia. Grupi vlerësohet i hapur, por edhe shumë sfidues në të njëjtën kohë. Kosova është në kërkim të kualifikimit të parë në një ngjarje të madhe.