Futboll

Të udhëheqësh në Premier League në periudhën festive nuk është garanci për titull

Premier League

Arsenali është në krye të Premier Leagues në periudhën festive, por festa është shumë larg. Mikel Arteta e di nga përvoja e dhimbshme që renditja në kohën e festsave të fundvitit nuk garanton asgjë kur bëhet fjalë për ngritjen e trofeut të kampionatit anglez.

Arsenali ishte në krye të tabelës në këtë pikë të kampionatit edhe në vitet 2022 e 2023. Por në të dy rastet e humbi nga Manchester City garën për titull të kampionit.

Kryesimi në tabelë në Krishtlindje, tradicionalisht ishte shenjë e keqe për ekipin nga Londra veriore. Dhe kështu ishte edhe para se Arteta të merrte drejtimin e skuadrës.

Në katër raste, prej se ka nisur periudha Premier League, Arsenali ishte në krye të tabelës në fund të dhjetorit dhe asnjëherë nuk e fitoi titullin e kampionit.

Pep Guardiola dhe Manchester City mund të jenë më të inkurajuarit nga renditja. City e ka fituar titullin katër herë, kur nuk ishte duke udhëhequr në këtë fazë.

Por Arteta nuk merret shumë me dështimet e së kaluarës.

“Ajo që më jep besim është niveli i paraqitjes dhe vazhdimësia e kësaj”, ka thënë Arteta pas fitores së fundit ndaj Evertonit.

“Të kesh në vazhdimësi rezultate të mira është shumë e vështirë në këtë ligë. Dhe kjo do të thotë që ekipi ështët aty ku duhet të jetë. Për të shijuar ndjenjën e fitores duhet të shkosh në vende të vështira, të kalosh momente të vështira. Ne jemi përballur me shumë gjëra tashmë dhe jemi aty”, ka thënë spanjolli.

Në 33 edicionet e deritashme të Premier Leagues, skuadra që ishte e para në tabelë në Krishtlindje, ka fituar titullin e kampionit 17 herë. Pra pak mbi 51 për qind.

Arsenali udhëhoqi garën që nga fillimi i këtij edicioni, duke shfrytëzuar lëshimin e pikëve të shumta nga kampioni në fuqi, Liverpooli. Edhe City pati disa dështime në fillim të kampionatit.

Por dallimi i Arsenalit me Cityn e vendit të dytë tani është vetëm dy pikë. Kjo ndodhi pasi “topçinjtë” fituan vetëm dy pikë nga nëntë të mundshme në ndeshjet në udhëtim. Falë golit të Viktor Gyokeres nga penalltia, Arsenali fitoi 1:0 ndaj Evertonit për t’i dhënë fund serisë pa fitore në udhëtim.

Janë Manchester Unitedi dhe Chelsea që kanë fituar titullin në pesë raste, pasi ishin në krye të klasifikimit në Krishtlindje. Unitedi e ka mbajtur vendin e parë në këtë fazë në shtatë raste.

Chelsea ka fituar titullin në të gjitha pesë rastet kur ishte i pari në fund të dhjetorit.

Edhe Manchester City ka fituar tre tituj në edicionet kur ishte në krye në periudhën festive. Ndërkohë Liverpooli ka fituar dy tituj në kampionatet në të cilët ishte i pari në fund të vitit.

Fundi i garës për titull në Premier League është shumë larg. Këtë e dinë edhe Arteta e Pep Guardiola.