Portieri i parë i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, është kthyer të shtunën mbrëma, pas mungesës prej 223 ditësh. Gjermani 33-vjeçar ishte në portë në fitoren 2:1 ndaj Valladolidit, që e afron Barçën me titullin e kampionit në Spanjë.
Por Ter Stegen nuk do të jetë mes shtyllave në ndeshjet kryesore, ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj Interit dhe në klasiken e La Ligas ndaj Real Madridit.
Këtë e bëri të ditur trajneri i Barcelonës, Hansi Flick.
Në portë sërish do të jetë polaku 35-vjeçar, Wojciech Szczesny.
“Szczesny do të jetë portier të martën ndaj Interit dhe po ashtu ndaj Real Madridit”, ka thënë Flick në konferencë për shtyp pas ndeshjes me Valladolidin.
Polaku u kthye nga pensionimi për t’iu përgjigjur ofertës së Barcelonës pas lëndimit të Ter Stegenit.
Dhe ka impresionuar me paraqitjet e deritashme. Megjithatë ndaj Interit në ndeshjen e parë nuk e kishte asnjë pritje.
Flick ka pushuar shumë lojtarë të shtunën, për shkak të ndeshjes shumë të rëndësishme me Interin, të martën. Ndeshja e parë gjysmëfinale kishte përfunduar 3:3.