Futboll

Tomassoni nuk heq dorë nga plani i tij, Isaku i del në mbrojtje

Jon Dahl Tomasson

Përfaqësuesja e Suedisë e nisi kampanjën kualifikuese të Botërorit me barazim 2:2 me Slloveninë dhe me humbje 2:0 nga Kosova. 

Pavarësisht pritjeve shumë të mëdha nga suedezët në nisje të kampanjës së Botërorit që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, rezultatet nuk ishin të kënaqshme. 

Në Suedi ka pasur kritika të shumta për futbollistët dhe vetë përzgjedhësin e përfaqësueses skandinave, Jon Dahl Tomasson. 

Por, përzgjedhësi danez nuk e ka plan ndryshimin e planit. Të enjten ka thënë se Suedia vetëm do t’i përmirësojë disa aspekte në të cilat ka gabuar në dy ndeshjet e kaluara. Ai do t’i qëndrojë besnik lojës me presion të lartë, fitimin e topit sa më shpejtë që është e mundur dhe pasime vertikale. 

“Ne gjithmonë ndryshojmë diçka për secilën ndeshje, mund të jetë ndonjë futbollist, detaj taktik apo diçka tjetër. Ne e bëjmë gjithmonë këtë në planin tonë të ndeshjes. Por përmirësimi i madh është që t’i ndjekim parimet tona, të ndjekim atë që kemi biseduar”, ka deklaruar të enjten në konferencën për shtyp tekniku danez. 

Suedia më 10 dhe 13 tetor i luan dy ndeshje në shtëpi. Ndaj Zvicrës luan të premten nga ora 20:45 në “Strawberry Arena” në Solna, ndërsa ndaj Kosova më 13 tetor në “Nya Ullevi” në Goteborg.

Përzgjedhësi Tomasson ka thënë se mbështeten edhe në përkrahjen e madhe të tifozëve. 

Përkrah danezit në konferencën për shtyp të enjten ishte edhe sulmuesi i Liverpoolit, Alexander Isak, që i ka dalë në mbrojtje selektorit. 

“Ka shumë biseda për idenë e lojës, por brenda ekipit, gjithçka është e qartë. Në ndeshjen e fundit, në humbjen 2:0 nga Kosova, ne nuk e kemi shfaqur në fushë idenë që kishim për atë lojë. Ishte thjeshtë një paraqitje e dobët nga ne”, ka deklaruar Isak. Isak në ndeshjen në Prishtinë ndaj Kosovës luajti nga minuta e 72-të. I pati dy mundësi të mira shënimi, por u ndal nga portieri Arijanet Muriq.  

Në Grupin B, Suedia e treta dhe Sllovenia e katërta, përkatësisht e fundit, kanë nga një pikë pas dy ndeshjeve. Zvicra e para ka gjashtë pikë, ndërsa Kosova është e dyta me tri pikë.