Futboll

“Topçinjtë” e deklasojnë Leedsin, Gyokeres realizon dy gola

Arsenali

Arsenali ka shënuar fitore bindëse të shtunën mbrëma në kuadër të xhiros së dytë të Premier Leagues.  “Topçinjtë” në shtëpi e mposhtën Leeds Unitedin me rezultatin e thellë 5:0.

Dy gola u realizuan në pjesën e parë kurse dy të tjerë në pjesën e dytë.

Mbrojtësi i krahut, Jurrien Timber, e shënoi golin e parë në minutën e 34-t.

Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Bukayo Saka, e dyfishoi rezultatin.

Realizatori i golit të tretë ishte qendërsulmuesi Viktor Gyokeres në minutën e 48-të.

Tetë minuta më pas, Timber, shënoi sërish për 4:0.

Golin e fundit e shënoi suedezi Gyokeres nga penalltia në minutën e 95-të.

Arsenali pak para fillimit të ndeshjes e prezantoi transferimin më të ri anglezin Eberechi Eze.

Eze tek Arsenali u transferua nga Crystal Palace për 60 milionë funte.

Te klubi që për trajner e ka Mikel Artetan ndaj Leedsit debutoi 15-vjeçari Max Dowman. Ai u bë futbollisti i dytë më i ri që ka luajtur në historinë e Premier Leagues me 15 vjet e 235 ditë.