Sioni do të luajë të dielën nga ora 14:00 në udhëtim te Grasshopperi në stadiumin “Letzigrund”, për ndeshjen e xhiros së nëntë të Superligës së Zvicrës.
Te skuadra e elitës helvetike luajnë disa shqiptarë, në mesin e të cilëve është edhe Kreshnik Hajrizi.
Mediumi i njohur zviceran “Blick” i ka kushtuar një shkrim skuadrës së Sionit, derisa paraqitjen e qendërmbrojtësit Hajrizi, e ka vlerësuar si lajmin e javës.
Hajrizi dhe futbollistët e tjerë të Kosovës shkëlqyen në Goteborg ndaj Suedisë, duke fituar 1:0 me golin e Fisnik Asllanit.
Kjo fitore ka bërë që Kosova të jetë kandidat shumë i fortë për plejofin e Botërorit 2026, por ka gjasa edhe për t’u kualifikuar direkt nga Grupi B.
“Të hënën, Kreshnik Hajrizi u përball me dyshen Alexander Isak dhe Viktor Gyokeres. Qendërmbrojtësi nga Valaisi ishte titullar te Kosova që u përball me Suedinë në ndeshjen kualifikuese të Botërorit. Dhe u paraqit shumë mirë në fitoren 1:0”, ka shkruar “Blick”.
Kjo nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe nga trajneri i Sionit, Didier Tholot.
Tholot ka thënë se futbollistët po bëjnë progres.
“Në vitet e fundit, nuk ka pasur shumë futbollistë që janë larguar me përfaqësueset e tyre. Tani, shumë prej tyre po largohen dhe po luajnë. Kjo do të thotë se ne po bëjmë progres dhe e dimë saktësisht se çfarë pune duam të bëjmë”, ka thënë i gëzuar trajneri i Sionit, Tholot, i cili foli edhe për Donat Rrudhanin.
Mediumi helvetik nuk e di nëse Rrudhani, një tjetër reprezentues i Kosovës, do të luajë nga fillimi te Sioni.
Ai i pati 45 minuta ndaj Servettes dhe nga 22 minuta ndaj Lausannes dhe Luzernit. Futbollisti kosovar dëshiron që të jetë titullar.
“Kur ai na u bashkua, nuk kishte luajtur për kohë të gjatë. Kjo merr kohë”, shpjegon Tholot.
Në dyshim për të luajtur të dielën është edhe Benjamin Kololli, që ka luajtur te Kosova por nuk është ftuar për kohë të gjatë.
Ai ka telashe në pulpë.
Sioni aktualisht ka 12 pikë në gjashtë ndeshje dhe është në mesin e tabelës. Synon të jetë në mesin e gjashtë ekipeve të para në tabelë.
“I kemi tri ndeshje para nesh në të cilat duhet ta konfirmojmë ambicien që kemi në këtë edicion”, ka thënë Didier Tholot para ndeshjes në Zurich në udhëtim, dhe ndaj Thunit e St. Gallenit në shtëpi.
Për teknikun francez, të tria këto ndeshje janë mundësi për të shfaqur se Sioni është i bindur që do të bëj vend në grupin e skuadrave që luftojnë për titull kampioni.