Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Triumfi i Cityt në FA, shpërblim për durimin nën drejtimin e Guardiolas

Guardiola

Trofeu i 15-të i madh i Pep Guardiolas si trajner i Manchester Cityt, i siguruar me fitoren 1:0 në finale të Kupës FA të shtunën ndaj Chelseat, vë në pah virtytin e stabilitetit afatgjatë në klub. Për një stabilitet të tillë skuadra e Chelseat vetëm mund të ëndërrojë.

Guardiola e ka fituar Kupën FA për herë të tretë që kur mbërriti në Manchester dhjet vjet më parë. Ai ka edhe gjashtë tituj të Premier Leagues, pesë Kupa të Ligës dhe trofeun e Ligës së Kampionëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edhe pse ditët e legjendës së Barcelonës në City mund të jenë drejt fundit, spanjolli mund t’u shtojë trofeve të shumtë edhe atë të radhës të Premier Leagues, nëse Arseanali dështon në dy ndeshjet e mbetura.

Lojtarët e Cityt nxituan të lavdërojnë 55-vjeçarin Guardiola pas fitores të së shtunës. Prej trajnerëve aktualë në Premier League, Guardiola është më së gjati i angazhuar.

Ndeshja finale u vendos nga një gol mjeshtëror i shënuar me takë nga Antoine Semenyo.

Kapiteni Bernardo Silva, që pritet të largohet nga City në fund të edicionit, tha se i detyrohet shumë trajnerit për suksesin në karrierë.

“Ai ndryshoi mënyrën se si e shoh futbollin. Tetëdhjetë përqind e karrierës sime ishte me të si trajner”, ka thënë mesfushori portugez. “Të gjitha gjërat që shpresoja t’i arrija, i kam me të”.

Mbrojtësi John Stones, i cili po ashtu është në ditët e fundit te City, tha se standardet e vendosura nga Guardiola ishin unike mes trajnerëve.

“Mentalitet të tillë fitues nuk kam parë ndonjëherë”, ka thënë Stones.

Vetë Guardiola foli për durimin e drejtuesve të Manchester Cityt për t’i qëndruar pranë gjatë periudhave më të dobëta, që ishin në kontrast me vendimet e klubeve të tjera për të shkarkuar trajnerët pas rënieve në formë.

“Një nga sukseset më të mëdha është stabiliteti lidhur me punën time”, ka thënë Pep Guardiola.

“Pa këtë, suksesi që kemi arritur do të ishte i pamundur”.

Mediumet në ishull kanë spekuluar se Guardiola mund të largohet nga City në fund të edicionit, ndonëse ai ka thënë se ka edhe një vit kontratë me klubin.
Dekada e mbushur me trofe e Guardiolas te City është e kundërt me situatën te Chelsea, që u nda me dy trajnerë gjatë këtij edicioni. Enzo Maresca u largua në janar, kurse Liam Rosenior u shkarkua në prill.

Pronarët aktualë të Chelseat kanë shkarkuar pesë trajnerë që kur blenë klubin në vitin 2022. Xabi Alonso do të jetë trajneri i ri i Chelseat. Ai u zyrtarizua të dielën, kurse kontrata i fillon më 1 korrik.

Trajneri i përkohshëm i skuadrës londineze, Calum McFarlane, tha se u është mohuar një penallti në finale. Sipas tij, Chelsea ishte skuadër e barabartë me Cityn, pos në shfrytëzimin e rasteve.

“Djemtë nuk morën atë që meritonin dhe ndonjëherë futbolli mund të jetë mizor. Mendoj se ishim të barabartë me njërën prej ekipeve më të mira në botë”, ka thënë McFarlane.