UEFA po lëviz drejt një votimi për të pezulluar anëtaren e saj, Izraelin, për shkak të luftës në Gazë, thanë të enjten për Associated Press njerëz të afërt me propozimin.
Shumica e anëtarëve të komitetit ekzekutiv prej 20 anëtarësh të UEFA-s pritet të mbështesë çdo votë në favor të pezullimit, thanë dy burime për Associated Press në kushte anonimiteti, për shkak të ndjeshmërisë së temës.
Ky veprim vjen dy javë përpara se përfaqësuesja e Izraelit të ballafaqohet me Norvegjinë dhe Italinë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Është e paqartë nëse FIFA do të mbështesë përjashtimin e Izraelit, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta midis kreut të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit Donald Trump.
Këshilli drejtues i FIFA-s ka planifikuar mbledhje në Cyrih javën e ardhshme. Këshilli me 37 anëtarë përfshin tetë anëtarë nga UEFA.
Thirrjet për të përjashtuar Izraelin nga garat e futbollit dhe sportet e tjera janë rritur në javët e fundit.
Javën e kaluar, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se Izraelit duhet t’i ndalohet pjesëmarrja në ngjarjet sportive ndërkombëtare, njëjtë si Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
UEFA dhe presidenti i saj, Alexander Çeferin sinjalizuan qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit muajin e kaluar, kur banderola me mbishkrimin ‘Ndalo vrasjen e fëmijëve. Ndalo vrasjen e civilëve’, u vendos në ndeshjen e Superkupës së Evropës ndërmjet PSG-së dhe Tottenhamit në Udine të Italisë.
Ministri i Sportit i Izraelit, Miko Zohar, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Izraelit, Moshe Zuaras, kanë punuar “intensivisht prapa skenave” për të bllokuar përpjekjet për të përjashtuar Izraelin nga UEFA, tha të enjten zyra e Zoharit.
“Hapi i duhur tani është të veprojmë me përgjegjësi me profesionistët dhe të mos bëjmë deklarata, dhe kështu po veprojnë të gjitha palët e përfshira në përpjekje. Do ta trajtojmë këtë më vonë”, ka thënë ai.
Kritikët e reagimit të Izraelit që nga sulmet e 7 tetorit 2023 nga Hamasi që provokuan luftën, kanë theksuar vazhdimisht se Rusia është pezulluar nga FIFA dhe UEFA brenda ditësh nga pushtimi i plotë ushtarak i Ukrainës në shkurt 2022.
Javën e kaluar, Izraeli u akuzua për kryerjen e gjenocidit në Gazë nga një komision hetimor nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara.
Ndalesa e Rusisë u nxit gjithashtu nga një sërë federatash anëtare të UEFA-s që refuzuan të luanin ndeshje të planifikuara kundër kundërshtarëve rusë, përfshirë Poloninë, e cila ishte planifikuar të shkonte në Moskë për një ndeshje eliminatore kualifikuese të Kupës së Botës 2022.
FIFA dhe UEFA më vonë argumentuan, kur fituan në një apel rus kundër ndalimit, se nuk mund të rrezikonin kaos në garat e tyre, përfshirë Kupën e Botës.
Asnjë ekip kombëtar apo klub në Evropë nuk ka refuzuar deri më tani të luajë kundër një kundërshtari izraelit, megjithëse udhëheqësit e futbollit në Norvegji dhe Itali kanë shprehur publikisht shqetësimin e tyre në javët e fundit.
Federata norvegjeze e futbollit u zotua gjithashtu se mjetet financiare nga shitja e biletave për ndeshjen e 11 tetorit në Oslo do t’i dhurojë për punë humanitare në Gazë nëpërmjet organizatës “Mjekët pa Kufij”.
Si italiani Gabriele Gravina ashtu edhe norvegjezja Lise Klaveness janë zgjedhur anëtarë të komitetit ekzekutiv të UEFA-s, i cili mund të votojë për pezullimin e Izraelit.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Izraelit, Moshe Zuaras, është gjithashtu në panel.