Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA), i ka kushtuar një shkrim Dritës në prag të ndeshjes së parë në fazën nokaut të Ligës së Konferencës.
Sipas UEFA-s, Drita bart barrën e një vendi të tërë e jo vetëm të një klubi.
Drita të enjten nga ora 21:00 e pret Celjen e Sllovenisë në ndeshjen e parë të plejofit të fazës nokaut. Ndeshja zhvillohet në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Për të qenë plotësisht i sinqertë, ne asnjëherë nuk kemi menduar se do të marrim tetë pikë pas katër ndeshjeve të para. Unë nuk e kam menduar këtë, e as lojtarët”, ka thënë trajneri Zekirija Ramadani.
Drita është vetëm ekipi i dytë nga Kosova që është paraqitur në fazën grupore, përkatësisht të ligës, në garat e UEFA-s.
Dhe Drita e kaloi me sukses fazën e ligës, duke arritur në plejof. Ka shkruar histori, por synon të vazhdojë të shkruajë.
“Mund të flas edhe për pronarët e klubit, as ata nuk e kanë pritur këtë. Por kemi punuar pa u lodhur”, ka shtuar Ramadani. “Jam i bindur se suksesi nuk vjen vetëm ashtu. Duhet të meritohet dhe jam i bindur se ne e kemi merituar këtë sukses”.
UEFA ka shkruar se nëse skuadra e Ramadanit është më e suksesshme se Celje e Sllovenisë pas dy ndeshjeve, do të jetë e para nga Kosova në histori që luan në fazën nokaut të garave evropiane të futbollit.
“Kemi kualitet dhe dëshirë për ta kaluar plejofin”, ka thënë kapiteni Rron Broja, që është frymëzuar nga shansi për të garuar në skenën evropiane.
“Të jemi pjesë e Ligës së Konferencës do të thotë shumë për ekipin dhe tifozët e Dritës. Për futbollistët e lindur dhe të rritur në Kosovës, ishte gjithnjë ëndërr që të jemi pjesë e garave evropiane dhe mendoj se kjo është njëra prej arritjeve të mia më të mëdha”, ka shtuar Broja.
Ai ka shtuar se tashmë e kanë bërë gjithë Kosovën krenare dhe kjo solli përgjegjësi shtesë për të bartur fanellën e Dritës.
Portieri Faton Maloku ka thënë që kualifikimi në Evropë është shumë i rëndësishëm për Kosovën si vend.
“Ne kemi histori të gjatë që përfshinë disa kohëra të vështira. E gjithë kjo është si shpërblim për sakrificën e njerëzve që kanë kaluar këto gjëra”, ka thënë Maloku.