Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ujkani zbulon veprimin e lojtarëve nëse ka thirrje “Kosova është Serbi”

Samir Ujkani

Ish-kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin sllovak “Sportnet”, të publikuar të martën. Ndër të tjera gazetari sllovak e ka pyetur drejtorin sportiv të Përfaqësueses së Kosovës se cili do të jetë reagimi i lojtarëve nëse përballen me provokime.

Sllovakia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që disa njerëz të bëjnë provokime në stadium. A po i përgatitni lojtarët se çfarë duhet të bëjnë nëse dikush fillon të bëjë thirrje ‘Kosova është Serbi’ në tribuna?.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo është pyetja që i është bërë Ujkanit. Ai nuk beson se do të ketë thirrje anti-Kosovë.

“Lojtarët duhet të përqendrohen vetëm në atë që ndodh në fushë. Kur vjen këtu në Kosovë, sheh se njerëzit këtu janë të ngrohtë, të hapur dhe të respektueshëm. Kështu duam të paraqitemi në fushë. Unë besoj se nuk do të ketë racizëm në tribuna, sepse nuk i përket sportit. Në fakt, jo vetëm sportit, por të gjithë botës. Ne jemi të gjithë të njëjtit njerëz. Sigurisht, të gjithë mund të bëjmë tifo për vendin, por vetëm me respekt”, ka thënë Ujkani.

Gazetari sllovak në pyetjen e radhës i ka kujtuar Ujkanit se Kosova kishte lëshuar fushën në ndeshjen ndaj Rumanisë.

“Po sepse ishte tepër”, përgjigjet shkurt Ujkani.

Gazetari i “Sportnet” vazhdoi me insistim se cili do të jetë reagimi nëse ka thirrje anti-Kosovë.

“Ne besojmë se kjo nuk do të ndodhë sepse është shumë keq për futbollin, për imazhin e vendit dhe për djemtë e rinj që nuk kanë nevojë të rriten në negativitet. Ata duhet të rriten në lumturi dhe të marrin mbështetjen e duhur. Ne e dënojmë racizmin dhe kemi tifozët më të mirë në botë. I njoh prej më shumë se dhjetë vjetësh dhe nuk kemi pasur kurrë probleme me ta. Kurrë. Besojmë se nuk do të ketë probleme as me tifozët kundërshtarë”, ka thënë Ujkani.

Sllovakia e pret Kosovën të enjten në Bratislavë.

Ujkani shpreson që ndeshja më e madhe e Kosovës të zhvillohet në “Fadil Vokrri” më 31 mars.

“Mendoj se në atë rast as një stadium me kapacitet prej një milion njerëzish nuk do të ishte i mjaftueshëm për ne, dhe ne jemi vend me vetëm 1.8 milionë banorë”.