Futboll

Van Dijk: Liverpooli mbajti takim pas disfatës nga Unitedi

Virgil Van Dijk

Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka thënë se i ka ftuar lojtarët në takim pas disfatës nga Manchester Unitedi të dielën, por ka insistuar se nuk ishte mbledhje për shkak të “krizës”. 

Disfata 2:1 të dielën nga Unitedi në “Anfield”, për Liverpoolin ishte disfata e katërt rresht. 

Kjo bëri që “të kuqtë” të mbesin në vendin e tretë në Premier League, katër pikë prapa liderit, Arsenalit. 

“Të hënën, të gjithë ishin të mërzitur për shkak të humbjes nga Unitedi në shtëpi. Nuk kishim humbur kaq shumë ndeshje në shtëpi që prej kohës që jam te Liverpooli. Të hënën u mblodhëm së bashku, por nuk ishte mbledhje për shkak të krizës. Ne të gjithë e dimë se gjërat mund të ndryshojnë. Jemi vetëm në tetor”, ka deklaruar Van Dijk, shkruan BBC të enjten. 

Liverpooli e ndali ecurinë e humbjeve rresht të mërkurën mbrëma, me fitoren 5:1 në udhëtim te Eintracht Frankfurti në Ligën e Kampionëve. 

Ndeshja e radhës për Liverpoolin do të jetë në Premier League të shtunën në udhëtim te Brentfordi.