Lionel Messit iu mohua goli me një gjuajtje nga distanca në minutat shtesë, ndërsa Inter Miami dhe Al Ahly i Egjiptit luajtën pa gola në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për Klube, të dielën në orët e para të mëngjesit, sipas kohës në Kosovë.
Fituesi i tetëfishtë i Topit të Artë, Messi, gjuajti nga largësia, por portieri Mohamed Elshenawy e dërgoi në traversë, në minutën e 96-të. Ndeshja hapëse e Kupës së zgjeruar të Botës për Klube u zhvillua para 60 mijë shikuesve në stadiumin “Hard Rock”. Messi goditi shtyllën nga një goditje dënimi në minutën e 60-të.
Skuadrën amerikane, Inter Miami, e shpëtoi portieri Oscar Ustari, që priti penalltinë e Trezeguetit, pak para pushimit mes pjesëve. Dhe kështu skuadra me 12 tituj të Afrikës, Al Ahly mbeti me një pikë në fund.
Pas pritjes së Ustarit, topi u kthye te Trezeguet, por sërish veterani argjentinas intervenoi me sukses.
Tani të dy skuadrat i pret punë e vështirë për të avancuar nga Grupi A, ku janë edhe Palmeiras nga Brazili dhe Porto nga Portugalia. Dy të parët në grup avancojnë.
Al Ahly dominoi në pjesën e parë, ndërsa Inter Miami mund të frymëzohet nga paraqitja në të dytën.