Taulant Xhaka do ta vazhdojë karrierën në futboll. Ish-ylli i Baselit dhe reprezentuesi i Shqipërisë do të jetë trajner i FC Dardania Basel në sezonin e ardhshëm, në kategorinë e katërt të futbollit zviceran
Pas totalit të 407 ndeshjeve, gjithçka përfundoi më 24 maj. Taulant Xhaka e mbylli karrierën si futbollist profesionist në moshën 34-vjeçare dhe u vlerësua si legjendë e klubit. Tani dihet se ku do ta vazhdojë Xhaka karrierën. Xhaka është pritur te FC Dardania në Basel me “mirë se erdhe, legjendë!”, vetëm një muaj pas pensionimit nga futbolli aktiv. Klubi njoftoi të premten se Taulant Xhaka do të punojë në kategorinë e katërt të futbollit zviceran në sezonin e ardhshëm. Megjithatë, jo si lojtar, por si trajner.
FC Dardania Basel është e lidhur me komunitetin shqiptar, që e mban shqiponjën dykrenore në stemën e klubit. Ky klub u themelua në vitin 1993 nga refugjatët politikë dhe punëtorët, të cilët e themeluan klubin e futbollit për komunitetin. Në sezonin e kaluar, Dardania për pak e humbi mundësinë e promovimit një ligë më lartë. Përfundoi në vendin e tretë, me tri pikë më pak.
Në fillim të sezonit të ardhshëm, klubi do ta prezantojë yllin e ligës në ndeshjen e vet në shtëpi, në kompleksin sportiv Bachgraben.
Taulant Xhaka që i ka 30 paraqitje për “kuqezinjtë” e Shqipërisë, mund ta vazhdojë punën njëkohësisht duke u pajisur me licencën e trajnerit.
“Me krenari dhe respekt të madh e mirëpresim në mesin tonë një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar – Taulant Xhaka dhe ndihmëstrajnerin Argjend Turkaj. Një profesionist shembullor, një luftëtar në fushë dhe një frymëzim për brezat e rinj. Prania jote nuk është vetëm një forcim për skuadrën, por edhe një nder për të gjithë komunitetin tonë. Jemi një – dhe sot jemi më të fortë me ty”, ka shkruar FC Dardania Basel të premten në “Facebook”.
“Kjo nuk është hera e parë që klubi bie në kontakt me familjen Xhaka. Kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës në futboll së fundmi i dhuroi 25 topa të futbollit për ekipin e të rinjve. Babai i Taulantit e Granitit, Ragip Xhaka, madje e drejtoi skuadrën në ndeshjet e fundit të sezonit”, ka shkruar mediumi i madh zviceran.
34-vjeçari, Taulant Xhaka, është njëri prej lojtarëve më të suksesshëm që ka luajtur ndonjëherë te Baseli. Ai e fitoi shtatë herë titullin e kampionit në Superligën e Zvicrës me Baselin, ndërsa i ka edhe katër Kupa të Zvicrës të fituara me klubin e madh zviceran. Një Kupë të Zvicrës e ka të fituar me Grasshopperin.
Taulant Xhaka, vëllai i madh i Granitit, në tërë karrierën e tij i luajti 318 ndeshje në Superligën zvicerane. Kontribuoi me gjashtë gola të shënuar e 20 asistime. Një gol e ka edhe me Shqipërinë në 30 ndeshje.