Kampioni i Rumanisë në futboll, FSCB, është në krizë rezultatesh. Klubi nga Bukureshti i ka humbur katër ndeshjet e fundit. Seria e humbjeve nisi më 22 korrik në Shkup, kur u mposht nga Shkëndija e Tetovës me rezultatin 1:0. Më pas më 26 korrik, FCSB-ja u mposht në shtëpi nga Farul Constanta në kuadër të kampionatit rumun. Shkëndija fitoi edhe në Bukuresht më 30 korrik, 2:1, për të siguruar kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë FCSB-ja humbi edhe të shtunën në derbin rumun ndaj Dinamo Bukureshtit, 4:3.
Daljen nga kriza te FCSB-ja e synojnë në ndeshjen e radhës. Bëhet fjalë për ndeshjen ndaj kampiones së Kosovës, Dritës, që zhvillohet të enjten nga ora 20:30 në “Arena Nationala”, në Bukuresht.
Por te Drita e synojnë të kundërtën – të thellojnë edhe më tej krizën e FCSB-së. Ndeshja e së enjtes dhe ajo e 14 gushtit në “Fadil Vokrri” i takojnë raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës, që është niveli i dytë i garave kontinentale për klube të futbollit.
Njëjtë si kampioni rumun, edhe Drita është ndalur në raundin e dytë kualifikues të Championsit dhe është zhvendosur në Ligën e Evropës.
“Secili ekip ka periudha krize. Për momentin e shohim që ekipi kundërshtar është në një krizë rezultatesh. Por brenda grupit ka futbollistë në moshë dhe me shumë përvojë. Janë futbollistë që dinë të dalin nga kjo krizë, por shpresojmë që të mos jemi ne ekipi që do t’i ndihmojmë të dalin prej kësaj krize. Shpresoj se me lojë, angazhim, pa respekt të tepruar, t’i fusim në krizë edhe më të thellë”, ka thënë për KOHËN trajneri i Dritës së Gjilanit, Zekirija Ramadani.
Ramadani e udhëhoqi Dritën drejt titullit të kampionit, njëjtë si disa skuadra të tjera të vendit. Tashmë tekniku shkupjan po e udhëheq fushatën evropiane të klubit gjilanas.
“Me të vërtetë bëhet fjalë për super-ekip, me mjaft kualitet. Dhe kundërshtari ynë vjen nga një kampionat që është shumë më lart se kampionati ynë”, ka shtuar Ramadani.
Lojtarët më të mirë të Superligës së Kosovës e vlerësojnë hap të madh në karrierë kalimin në ekipet rumune. Kjo, ndër të tjera, dëshmon për dallimin në cilësi mes dy kampionateve.
Por edhe më i madh vlerësohet dallimi në mes të kampionatit të Rumanisë dhe atij të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë Shkëndija ia doli të fitojë të dy ndeshjet me FCSB-në dhe të martën luan ndeshjen e raundit të tretë kualifikues të Championsit.
Dy fitoret e Shkëndijës ndaj FSCB-së u shërbejnë shumë edhe Dritës dhe trajnerit Zekirija Ramadani.
“Natyrisht se ka çka të mësohet nga ato dy ndeshje. Pikërisht nga takimet me Shkëndijën dhe nga takimi i fundit kampional i FCSB-së, që e humbi 4:3, kemi bërë analizën”, thotë trajneri i Dritës.
Ndaj Shkëndijës në stadiumin nacional në Bukuresht ishin plot 32 mijë e 457 shikues. Numër i përafërt i shikuesve pritet të jetë edhe të enjten në ndeshjen ndaj Dritës. Në këtë stadium gjigant Kosova është fyer jo pak së fundi.
Por te Drita janë gati për një ndeshje të vështirë dhe ambientin jo më të lehtë të mundshëm.
“Motivi ynë kryesor është objektivi që kemi përpara nesh. Nuk na interesojnë tifozët. Kemi folur me futbollistët që të mos biem në provokimet eventuale të tyre, por të tregohemi të zgjuar dhe të marrim atë që duam”, ka thënë Ramadani, njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në futbollin kosovar.
Si kampione e Kosovës, Drita nisi garimin në raundin e parë kualifikues të Championsit. Fitoi 1:0 dhe 3:2 ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange, dhe avancoi në raundin e dytë. Përballë e kishte kampionin e Danimarkës, Copenhagenin.
Gjiganti danez fitoi 2:0 në shtëpi dhe 1:0 në “Fadil Vokrri” për të eliminuar gjilanasit.
Te Drita megjithatë kanë mësuar shumë nga ndeshjet me skuadrën daneze, që i takon nivelit goxha të lartë evropian.
“Me kundërshtarë si Copenhageni edhe mund të humbësh në aspektin e rezultatit. Por fiton shumë përvojë taktike, fizike e psikologjike. Ndeshjet me Copenhagenin do të jenë ndihmë e madhe për ne për ndeshjet që na presin me FCSB-në”, ka theksuar Ramadani.
Drita ka përforcuar skuadrën para udhëtimit në Rumani. Ka firmosur me Kristal Abazajn, që ndër të tjera ishte tek Anderlechti, Osijeku, Istanbulspori, Tirana dhe së fundi tek Ankara. Abazaj i ka dy paraqitje për Shqipërinë.
Grupi i lojtarëve të Dritës është i konsoliduar, me përvojë dhe kompakt. Dhe kjo pritet të jetë “armë” e rëndësishme në kërkim të suksesit të madh në kryeqendrën e Rumanisë.