Charles Rosen e shënoi golin e vetëm për Mjallbyn në minutën e 88-të, në fitoren ndaj Elfsborgut 1:0 të enjten gjatë ditës.
Por, rezultati ishte në plan të dytë.
Lajmi i ballafaqimit ishte rikthimi i Arbër Zenelit. 30-vjeçari u lëndua para ndeshjes së Elfsborgut në udhëtim te Tottenhami në Ligën e Evropës në janar. Një javë më parë kishte luajtur titullar ndaj Nicet në Boras.
Zeneli u rikthye pas gjashtë muajsh pasi kishte lëndim serioz në pulpë, ndërsa më pas kishte disa ndalesa tjera në fillim të këtij viti.
Ai u inkuadrua në miqësore pas një ore lojë, në vend të Taylor Silverholtit.
Dhe kishte menjëherë ndikim në lojë. Pasi e theu mbrojtjen e Mjallbyt, asistoi për Per Frickun. Por Frick gjuajti mbi portë dhe e shpërdoroi mundësinë.
Arbër Zeneli u kthye tek Elfsborgu në pranverën e vitit 2024, pas nëntë vjetëve të kaluara jashtë Suedisë.
Ai i shënoi pesë gola dhe shtatë asistime në “Allsvenskan” në edicionin e kaluar. Në Ligën e Evropës e pati një gol e katër asistime në 14 ndeshje.
Besfort Zeneli, vëllai i vogël i Arbër Zenelit, nuk u inkuadrua në lojë në këtë miqësore, ndonëse ishte në bankën rezervë.
Arbër Zeneli ka luajtur në 33 ndeshje me Kosovën, ndërsa ka kontribuuar me nëntë gola.