Besfort Zeneli është pjesë e Elfsborgut që nga fëmijëria, por tani beson se ka ardhur koha për t’u larguar. Kështu ka deklaruar ai vetë, ka shkruar të shtunën “FotbollDirekt”.
Pjesë e ekipit të parë të Elfsborgut, Zeneli u bë në vitin 2022.
23-vjeçari që luan si mesfushor, është shndërruar në njërin prej lojtarëve kryesorë të ekipit. Ai ishte pjesë e Kosovës U21, ndërsa më pas vendosi të luajë për Suedinë.
“E ndiej se jam gati ta bëj hapin e radhës në janar”, ka deklaruar Zeneli.
Për Zenelin ka shprehur interesim skuadra belge, Royale Union.
Sipas mediumeve suedeze e belge, kjo skuadër është e gatshme t’i shpenzojë afro 4 milionë euro për të.
“Nuk kam dëgjuar diçka për shumën e parave dhe nuk e di nëse është e vërtetë. Por e di se për kohë të gjatë janë të interesuar. Ka pasur bisedime në verë, por nuk ndodhi transferimi”, ka deklaruar Zeneli.
Zeneli është vëllai i vogël i Arbër Zenelit, që po ashtu është pjesë e Elfsborgut.