Klubi i madh rus, Zenit St. Petersburg, është gjobitur me 213 euro e 21 cent për fyerjet e tifozëve ndaj lojtarit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku, në ndeshjen për Kupë të Rusisë. Kështu ka njoftuar kreu i Komitetit të Kontrollit dhe Disiplinës i Federatës së Futbollit të Rusisë, Artur Grigoryants.
Më 12 gusht në Shën Petersburg, Rubini humbi nga Zeniti me rezultat 3:0, në ndeshjen që i takoi raundit të dytë të fazës së grupeve të Kupës ruse të futbollit.
Daku shënoi një gol kundër Zeniti, por goli u anulua pas rishikimit të situatës me VAR.
Zeniti ishte prej klubeve të mëdha ruse që shprehu interesim gjatë këtij afati kalimtar për transferimin e sulmuesit të Shqipërisë. Madje, u raportua se Zeniti kishte arritur marrëveshje me Rubinin për transferimin e Dakut. Por lëvizja nuk u realizua. Zeniti nuk arriti marrëveshje me Dakun, ndërsa u raportua se arsyet për këtë nuk ishin vetëm sportive. Ka pasur spekulime se Zeniti hoqi dorë nga Daku për veprimin e tij në Euro 2024, e po ashtu për përmbajtjen e tatuazhit të tij që mban në nderim të komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani – Katana.
Pas një ndeshjeje me Shqipërinë në Evropian, Daku e mori megafonin dhe e nisi një sharje ndaj serbëve e maqedonasve. Për këtë ishte dënuar nga UEFA më pas.
Reprezentuesi i Shqipërisë, Daku, është sulmuesi kryesor i Rubin Kazanit. Daku përfundoi i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit të kaluar në elitën ruse të futbollit.
E ka nisur mbarë edhe sezonin aktual. Ka shënuar pesë gola në shtatë ndeshje në kampionat dhe për Kupë të Rusisë. Ka edhe një asistim. Daku vazhdoi kontratën me Rubin Kazanin deri në vitin 2029. Është raportuar se me bonuse mund t’i fitojë deri në 3 milionë euro.