Futboll

Zhegrova kontribuon në fitoren e Juves

Edon Zhegrova - Roma

Edon Zhegrova ka dhënë kontribut për skuadrën e Juventusit që të shtunën e fitoi derbin e xhiros së 16-të të Serie A. 

Juve e mposhti Romën në shtëpi me rezultatin, 2:1. 

Sulmuesi i Kosovës, Zhegrova, u përfshi te goli i dytë i “Zonjës së Vjetër”. 

Francisco Conceiçao e kaloi në epërsi Juven në minutën e 44-t. 

Për 2:0 në minutën e 70-të realizoi Lois Openda. Por fillimisht Zhegrova harkoi bukur drejt Weston McKenniet që goditi me kokë. Goditjen e tij e priti portieri i Romës, e nga topi kthyes McKennie pasoi për Opendan që e dërgoi topin në rrjetë. Gjashtë minuta më pas, Roma e ngushtoi rezultatin në 2:1 me golin që e realizoi Tommaso Baldanzi.

Zhegrova në lojë u inkuadrua në minutën e 61-të. Për 26-vjeçarin ishte paraqitja e pestë këtë edicion në Serie A. 

Juve ka tri fitore radhazi në të gjitha garat. Ndërkohë për Romën ishte disfata e parë pas dy fitoreve të njëpasnjëshme. 

Roma ka 30 pikë dhe e zë vendin e katërt. Juve ka një pikë më pak në pozitën e pestë.