Fshati që ekipi i emisionit “JETA” vizitoi këtë javë është vendbanim në zonën e Malësisë së Gjakovës. Është ky fshati i quajtur “Babaj i Bokës”, me një peizazh të rrallë e shtrirje përgjatë lumit Erenik.
Në ditën e vizitës së ekipit, ishte një datë e veçante për banorët, të cilët çdo vit më 6 maj mblidhen te tyrbja Pulaj e Dervish Nezirit.
Në oborrin e kësaj tyrbeje bëhet therja e kurbaneve, e cila sipas vendësve, ka mbetur nga dita e vdekjes së Dervish Nezirit.
Banorët tregojnë se për këtë ditë çdo vit shkon deri në 1000 numri i kurbaneve që shpërndahen për të gjithë vendësit, vizitorët e familjet në nevojë.
Shumë vizitorë ecnin në këmbë deri te tyrbja. Ata ishin nga të gjitha rajonet e Kosovës e edhe nga zonat e Shqipërisë.
Njësite të policisë së Kosovës, zjarrfikësve e autoambulanca, të gjitha ishin në rast nevoje për banorët e vizitorët e shumtë.
Brenda tyrbes së Dervish Nezirit ishin edhe familjarët, të cilët tregonin se çdo vit kjo traditë shënohet duke shpërndarë mishin e kurbanit për të gjithë pjesëmarrësit.
Festa e kësaj date siç e quajnë banorët e Babaj i Bokës nis në orët e hershme të mëngjesit dhe përfundon në mbrëmje.
“Që 35 vjet jetoj në mërgim, por për çdo Shën Gjergj vij këtu. Kjo datë ka mbetur në ditën e Shën Gjergjit krejt rastësisht, sepse tradita e fshatit nuk lidhet me këtë festë. Kjo traditë është e destinuar për tyrben e Pulajve dhe merret si qylyme e tyrbes. Dervish Neziri është ai që thuhet se me gojë të tij e ka lënë që të bëhet kjo traditë me i shpërnda kurbanet për banorët e krejt vizitorët”, thotë njëri nga mërgimtarët e Babaj të Bokës.
Në natyrën e këtij fshati, pak metra poshtë tyrbes, vizitorët mund të argëtoheshin me muzikë e valle, të ushqeheshin e të rinjtë t’i shijonin këndet e lojërave për ta.