Vizita e studentëve nga Malaga dëshmoi se hapësirat për dialog ekzistojnë dhe se narrativët nuk janë të ngrirë. Ato formësohen në auditorë, në projekte të përbashkëta kërkimore, në shkëmbime akademike dhe në komunikim të drejtpërdrejtë mes të rinjve. Pikërisht aty, larg deklaratave zyrtare, krijohet mirëkuptimi që me kohë mund të reflektohet edhe në politikëbërje. Kosova duhet të investojë në këtë diplomaci të heshtur por të qëndrueshme, duke e vendosur universitetin dhe kulturën në shërbim të subjektivitetit të saj ndërkombëtar
Integrimet euroatlantike të Kosovës varen, në një masë të madhe, nga vullneti i pesë vendeve mosnjohëse, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, për të mos e përdorur veton në këtë proces. Këto pesë shtete që janë Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja.
Në këtë temë, gjatë kësaj jave, një grup studentësh nga Universiteti i Malagas në Spanjë po e realizojnë një vizitë studimore në Kosovë, ku veç tjerash, vizitojnë institucione të arsimit të lartë. Të mërkurën, ata e vizituan Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, e ku para kolegëve kosovarë prezantuan një hulumtim, pyetja qendrore e të cilit është: “Cila është mundësia e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, pa njohjen formale të Spanjës?”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërderisa Spanja, vend me përvojë të gjatë si anëtare e BE-së dhe NATO-s, nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, ajo megjithatë i ka njohur pasaportat si dhe targat e automjeteve të Kosovës. Pra, qëndrimi i saj komplet refuzues ndaj Kosovës ka pësuar ndryshime të vogla. Këto ndryshime të qëndrimit zyrtar të Spanjës mund të hapin shtigje bashkëpunimi në nivel kulturor, arsimor, sportiv e të tjera, që më parë nuk kanë qenë të mundura. Përmes këtij bashkëpunimi, Kosova mund të kontribuojë në ndryshimin e opinionit përbrenda Spanjës, duke e përdorur diplomacinë kulturore për ta formësuar qëndrimin e Spanjës në raport me Kosovën.
Gjatë diskutimit mes studentëve të Fakultetit Filozofik të UP-së dhe atyre të Universitetit Malaga u prekën shumë çështje që kanë të bëjnë me raportet mes Kosovës e Spanjës. Aty u tha se Spanja tani ka një qëndrim më të hapur ndaj Kosovës dhe se për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, e drejta e BE-së nuk kërkon njohje formale nga të gjitha shtetet dhe se në këtë kontekst, Spanja nuk do ta pengonte Kosovën në procesin e integrimit e as në aktin e anëtarësimit në BE. Kjo, sipas studentëve spanjollë, sidomos në rastin e anëtarësimit kolektiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Me anëtarësimin kolektiv mendohej anëtarësimi i përbashkët i Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës e Serbisë, si dhe Maqedonisë së Veriut, meqenëse Shqipëria dhe Mali i Zi tashmë e kanë pothuajse të sigurt anëtarësimin brenda një apo dy vjetësh.
Mes tjerash, u fol edhe për arsyet e mosnjohjes nga Spanja. Studentët spanjollë theksuan se arsyeja kryesore është frika nga paralelet që mund të tërhiqen mes Kosovës dhe rajonit autonom të Katalonjës në Spanjë, dhe tendencave të këtij rajoni për t’u pavarësuar. Megjithëkëtë, ishte një konkluzion i përgjithshëm i diskutimit se çfarëdo paralele në mes të Kosovës dhe Katalonjës është e paqëndrueshme për arsye historike dhe aktuale. Përderisa Katalonja i është bashkangjitur Spanjës në shekullin 15 përmes martesës së mbretit Ferdinand të Aragonit dhe Isabellës së Kastijës, Kosova në vitin 1912 u okupua dhe në mënyrë të dhunshme, kundër vullnetit të shumicës së popullit të saj, iu bashkëngjit Serbisë. Integrimi i plotë i Katalonjës në mbretërinë e Spanjës ndodhi gradualisht, në shekullin 18, pas rreshtimit të saj në anën humbëse gjatë luftës për trashëgiminë e fronit të Spanjës, kurse Kosova iu nënshtrua një spastrimi etnik dhe një politike të egër shfarosëse gjatë tërë shekullit 20, e cila kulmoi me represionin e egër të viteve të nëntëdhjeta dhe luftën e viteve 1998-99, në të cilat Serbia kreu spastrim etnik të pothuajse tërë popullsisë shqiptare të Kosovës, duke përdorur vrasjet masive, dhunimet e shfarosjen e popullsisë shqiptare, që ishte edhe arsyeja e intervenimit të NATO-s dhe miratimit të Rezolutës 1244 që e vendosi Kosovën nën administrim ndërkombëtar. Procesi i statusit final të Kosovës kulmoi me shpalljen kooperative e jo të njëanshme të pavarësisë së saj, që ishte vullnet i shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës. Për këto arsye, Kosova dhe Katalonja dallojnë shumë, si në aspektin historik, ashtu edhe në aktualitetin politik të tyre, prandaj çfarëdo paralele ndërmjet tyre është e gabuar dhe e padrejtë.
Mirëpo, shtrohet pyetja se çka duhet të bëjë Kosova në raport me pesë vendet mosnjohëse për ta plasuar narrativin e saj për sa i takon subjektivitetit dhe sovranitet të saj të brendshëm e ndërkombëtar? Përgjigja është te aplikimi i diplomacisë kulturore përmes nxitjes së bashkëpunimit në mes të universiteteve kosovare me universiteteve të këtyre pesë vendeve, që do të kontribuonte në njohjen më të mirë ndërmjet vendeve dhe rritjen e komunikimit ndërinstitucional në nivel subshtetëror në mes të Kosovës dhe këtyre vendeve. Komunikimi dhe shkëmbimi akademik, qoftë në rrafshin e hulumtimeve shkencore apo shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve me universitetet e këtyre vendeve është një platformë shumë efikase që narrativi i Kosovës të plasohet aty ku duhet: Në mesin e intelektualëve dhe të rinjve të këtyre vendeve që mund të ketë efekt multiplifikues. Përderisa Serbia e përdor huliganizmin sportiv për ta plasuar narrativin e saj mbi Kosovën si pjesë e Serbisë, me grupet e huliganëve djathtistë serbë që bashkëpunojnë me grupet e huliganëve djathtistë të klubeve sportive të vendeve të ndryshme të Evropës, Kosova mund ta aplikojë diplomacinë kulturore, me ç’rast angazhimi i akademikëve kosovarë me vendet mosnjohëse do të kishte cilësi dhe mbase edhe ndikim më të madh publik në opinionbërjen e vendeve mosnjohëse dhe në ndryshimin e politikës së tyre në raport me Kosovën.
Nëse integrimi euroatlantik i Kosovës mbetet i kushtëzuar nga vullneti i pesë vendeve mosnjohëse, atëherë përgjigjja e Kosovës nuk bën të jetë as retorike e as konfrontuese, por strategjike dhe afatgjatë. Vizita e studentëve nga Malaga dëshmoi se hapësirat për dialog ekzistojnë dhe se narrativët nuk janë të ngrirë. Ato formësohen në auditorë, në projekte të përbashkëta kërkimore, në shkëmbime akademike dhe në komunikim të drejtpërdrejtë mes të rinjve. Pikërisht aty, larg deklaratave zyrtare, krijohet mirëkuptimi që me kohë mund të reflektohet edhe në politikëbërje. Kosova duhet të investojë në këtë diplomaci të heshtur por të qëndrueshme, duke e vendosur universitetin dhe kulturën në shërbim të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
(Autori është doktor i shkencave politike).